Nga Jeton Selimi

Pero Pejiç është heroi i Kukësit. Kroati bën gjithçka vetë kundër Skënderbeut, ku shënon gol, fiton penallti dhe e mposht Shehin për herë të dytë. Gjithçka në harkun e 8 minutave lojë, minuta që e katapultojnë Kukësin të vetëm në krye të renditjes, duke iu shkëputur pikërisht Skënderbeut, me të cilin ndante vendin e parë në kuotën e 32 pikëve përpara kësaj sfide.

Sinjali i parë i ndeshjes vjen në minutën e 10-të, kur Emini e mban topin më shumë se ç’duhet në zonë dhe e shërben disi vonë Pejiçin, atëherë kur sulmuesi nuk mund t’i jepte më forcë gjuajtjes me kokë, që kontrollohet nga Shehi. Pas minutash të tëra loje të luftuar, vjen momenti që zhbllokon ndeshjen. Në minutën e 35-të, një goditje dënimi e ekzekutuar me shpejtësi nga Kukësi gjen në zonë gjigantin kroat, që me të majtën mposht Shehin në shtyllën e tij, teksa dhe gardiani veteran ka përqindjen e tij të fajit te goli i pësuar. 8 minuta më pas, Pejiç fiton një penallti pas ndërhyrjes së Osmanit dhe e shndërron vetë në gol, duke sigluar shifrat 2-0 për Kukësin dhe falë këtij dygolëshi, ngjitet në kuotën e 10 golave në këtë kampionat. Në minutën e 52- të, Vangjeli fut një top të bukur në zonë, por kupton gjithçka Koliçi, që bllokon Salihin. Në minutën e 69-të Skënderbeu ngushton diferencën me anë të Xhejmsit, por goli i nigerianit do të anulohet për pozicion jashtë loje.

Minuta e 88-të dhe Koliçi nuk arrin ta kontrollojë topin pas gjuajtjes së Lilajt, duke e lënë për Salihin, që gjuan shumë keq sipër traut. Por në minutën e 92-të është pikërisht gardiani kuksian që bën një pritje madhështore ndaj roveshatës së shkëlqyer të Salihit, duke ruajtur të paprekur suksesin e pastër të shokëve të tij. Pas kësaj fitoreje, Kukësi ngjitet në kuotën e 35 pikëve, duke lënë pas pikërisht Skënderbeun me 32 pikë.

PARTIZANI
Goli i Ben Azubelit i ka mjaftuar Partizanit për të thyer Korabin në “Elbasan Arena”, ndërsa të kuqtë kanë shpërdoruar pa fund raste të tjera shënimi, kryesisht me Realdo Filin dhe pikërisht autorin e golit, sulmuesin izraelit që gjeti rrjetën e parë në këtë kampionat. Partizani merr kështu tri pikë dhe kap Skënderbeun në vendin e dytë me 32 pikë, por merr pozicionin falë golavarazhit më të mirë sesa korçarët, teksa do ta diskutojnë këtë pozicion mes tyre të enjten, në javën e fundit të pjesës së parë të kampionatit. Korabi nga ana tjetër vuajti mungesat e shumta në këtë 90- minutësh, ndonëse pati edhe ai momentet e tij të mira në mesin e pjesës së dytë, por gjithsesi mbetet i fundit në tabelë, me 8 pikë.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: