Një fitore e madhe ajo e Kukësit që ka përmbysur Tiranën në “Selman Stërmasi” duke u konfirmuar forcë e dytë në kampionat dhe skuadra më e denjë për të rivalizuar deri në fund kryesuesit e Partizanit, pavarësisht renditjes së ngjeshur.

Në kryeqytet, vendësit kalojnë të parët në avantazh me një gol të Edon Hasanit në minutën e 10-të, që krijon iluzionin e një suksesi te Tirana pas tre zhgënjimeve radhazi, por goli bardheblu nuk bën gjë tjetër vetëm sa ndez Kukësin, i cili sposton lojën te mesfusha e ekipit të Ahmatajt dhe dominon gjatë takimin duke shënuar tre gola në pjesën e dytë.

Gavazaj do të fitojë një penallti në të 65-ën pas faullit të Torrasës, ndërsa Shkurtaj ekzekuton një “panenka” me topin që përplaset në traversë dhe më pas pak pasi ka kaluar vijën fatale. I vëmendshëm vijërojtësi Rexha, që sheh qartë momentin. 10 minuta më pas është vetë Gavaj që “vallëson” në zonën e rreptësisë për të thyer Ilion Likën në shtyllën e dytë, ndërsa në të 80-ën Abazaj vulos suksesin 3-1, që e ngjit Kukësin në kuotën e 24 pikëve, 1 më pak sesa Partizani, ndërsa Tirana mbetet në kuotën e 19 pikëve dhe me një mal me halle për të përballuar përpara derbit të kryeqytetit javën e ardhshme.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb