Kukësi po mundohet të përgatitet sa më mirë për ndeshjen e fundjavës  me Besën. Në letër, ky takim duket se për verilindorët nuk ka asnjë shans për të dalë me pikë. Gjithsesi, në Kukës besojnë se mund të bëjnë surprizën.

Për më tepër, që edhe Besa ka shfaqur luhatje në ndeshjet e fundit. Shqetësimi më i madh i trajnerit Alfred Allamani para kësaj ndeshje është organika që ka në dispozicion, që është e cunguar. Së pari, mungon kapiteni Redon Dragoshi, pasi u ndëshkua me karton të kuq në javën e fundit ndaj Lushnjës. Sikur të mos mjaftonte mungesa e kapitenit, ekipi vuan edhe dëmtimet e dy prej lojtarëve kryesorë. Bëhet fjalë për mbrojtësin Xhuljan Kapllanaj dhe mesfushorin Redon Danaj, të cilët janë në luftë me kohën për të qenë sa më parë të gatshëm për skuadrën, që po kalon një moment delikat.

Për këtë arsye, rritet shkalla e vështirësisë që verilindorët të bëjnë surprizën me një prej pretendentëve, që në fazën e parë i mundur 5–0 në “Kukës Arena”. Nga ana tjetër, në krye të kavajasve tanimë është ish-trajneri i Kukësit, Emiljano Çela, që e njeh mirë skuadrën. Megjithatë, përpos të gjitha këtyre disavantazheve para kësaj ndeshje, në Kukës do të hyjnë në fushë me idenë se nuk kanë asgjë për të humbur.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb