Kukësi e nis kampionatin aty ku e la, te fitorja. Në “Loro Boriçi”, verilindorët kanë arkëtuar tri pikët e plota ndaj një Vllaznie, e cila qëndresën më të fortë e bëri në pjesën e dytë, pasi e para ishte një 45-minutësh i vakët. Pero Pejiç do të shënojë që në minutën e pestë, kur Sykaj do të bëjë një gabim amator në largimin e topit, që shndërrohet në asist për kroatin, i cili mposht me lehtësi Selimajn, duke shënuar në rastin e vetëm për të dyja skuadrat në këtë pjesë loje. Pjesa e dytë do të nisë më e luftuar, ndërsa Kukësi do të gjejë golin e dytë në të 59-ën, kur Lushtaku ekzekuton saktë një goditje dënimi, e cila do ta mposhtë Selimajn në krahun e tij. Pas këtij goli, Vllaznia nis të lëvizë më mirë në fushë, ndërsa është gjyqtari Pashaj që bëhet protagonist me një penallti të paqenë në të 62-ën, që Shtupina e shpërdoron, dhe një gol të anuluar padrejtësisht në dëm të kuqebluve. Megjithatë, Vllaznia do të vijojë presionin, ndërsa në minutën e 65-të është Shtupina që harkon në qendër të zonës, aty ku gabimi i Sozës kthehet në asist për Kalajën, i cili krijon hapësirë dhe godet saktë duke ngushtuar rezultatin. Në minutat shtesë do të jetë Vllaznia ajo që do të ushtrojë presion, por pa mundur dot të barazojë. Kukësi merr kështu pikët e para për 2015-ën dhe shkon në 41 pikë, duke konfirmuar dhe për një javë tjetër vendin e parë në klasifikim.
Ndikumana është heroi i Tiranës, ndërsa Magani largon nga loja Hyshmerin në fund të pjesës së parë, për të hedhur afrikanin që shënon menjëherë gol, duke orientuar drejt suksesit Tiranën, që po vuante ndaj Apolonisë. Sërish sulmuesi nga Burundi që në të 62-ën “djeg” në sprint mbrojtjen fierake dhe driblon portierin Çakoviç, duke vulosur fitoren e Tiranës dhe vendin e dytë në pritje të Partizanit dhe Skënderbeut.

(d.d/j.s/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: