Barazimi në Peshkopi tregoi se Kukësi ka nisur vërtet të “zgjohet”. Në ndeshjet e fundit, kuksianët kanë marrë pikë të vlefshme sa i përket mbijetesës në këtë sezon futbollistik në Kategorinë e Parë.
Mjafton të thuhet se blutë kanë marrë shtatë pikë në tri sfidat e fundit, dhe kanë hedhur vështrimin nëse mund të kapin diçka më shumë në renditje, kur kanë mbetur edhe pesë ndeshje për t’u luajtur deri në fund të kampionatit. Duket se trajneri i ri, Fatjon Tafaj, e ka gjetur shumë shpejt “ilaçin” për të marrë pikët, pa harruar se edhe kalendari është zbutur disi në krahasim me sfidat e kaluara ku u përballën me tre kryesuesit. Megjithatë, ende skuadra verilindore nuk ka arritur asgjë, për aq kohë sa mbijetesa për momentin është në dorë të ndeshjes shtesë, që do të luhet me një nga skuadrat e Kategorisë së Dytë.
Për këtë arsye, objektivi është të arrihet vendi i tetë, që mbahet për momentin nga Kastrioti dhe që qëndron vetëm tri pikë larg. Një distancë plotësisht e rikuperueshme, duke marrë parasysh që do të kenë edhe një sfidë direkt me njëri-tjetrin. Megjithatë, për momentin në kampin kuksian nuk janë duke u marrë shumë me llogaritë, por do tentojnë të marrin maksimumin e mundshëm në ndeshjet e mbetura. Ndeshja e radhës është me Apoloninë në “Kukës Arena”.