Kukësi ka përfituar maksimalisht nga asisti i Tiranës në derbi dhe ka ngushtuar diferencat me Partizanin e vendit të parë në 6 pikë. Në përballjen e luajtur në “Elbasan Arena”, verilindorët kanë thyer 3-0 gjirokastritët e Luftëtarit, duke siguruar tre pikë dhe duke u ngjitur në 44 pikë.

Sfida nuk nis mirë për Kukësin, që pak minuta nga fillimi humbet shërbimet e Cuculit, që largohet i dëmtuar. Por gjithsesi të zotët e shtëpisë arrijnë ta kanalizojnë shumë shpejt ndeshjen aty ku duan.

Në minutën e 22-të Vesel Limaj lëshon një goditje të fortë nga jashtëzonës, goditje që përfundon në këndin e poshtëm të Ruçit dhe që u jep bluve avantazhin. Në fundin e pjesës së parë, Kukësi do të realizojë një skemë model që do ta çojë Irakli Xarian te goli i dytë dhe skuadrat në dhomat e zhveshjes me rezultatin 2-0 për verilindorët.

Në pjesën e dytë Luftëtari përpiqet të minimizojë dëmet e kësaj ndeshjeje, por ai që do të shënojë do të jetë sërish Kukësi, kësaj radhe me Valdet Ramën, që realizon një gol shumë të bukur në limitet e takimit me një parabël të mrekullueshme nga rreth 30 metra. Gjithçka në “Elbasan Arena” do të mbyllet me shifrat 3-0, që i lejojnë Kukësit të konsolidojë vendin e dytë dhe të ushtrojë presion te Partizani kryesues.

(j.s/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb