Nga: JETON SELIMI*
Nëse Shpëtim Duro do ta kishte ditur rezultatin e ndeshjes, e sigurt që nuk do ta kishte karikuar sfidën ashtu siç bëri gjatë javës. Sepse njeriu që ai sulmoi, Pero Pejiç, shënoi një gol dha një asist në triumfin historik që Kukësi arriti ndaj Partizanit, ku në “Zeqir Ymeri” nënshtroi të kuqtë me rezultatin e thellë 3-0.
Kryendeshja e javës pritej me mjaft interes, pasi dy ekipe, Tirana dhe Skënderbeu, prisnin me kërshëri përfundimin e këtij 90-minutëshi, për të mësuar më pas se çfarë do të ndodhte me kreun e renditjes. Por Kukësi tregoi se jo më kot është atje, në vend të parë. I lau hesapet me Partizanin që në pjesën e parë, ndërsa luajti dhe me nervat e kundërshtarit, ku Batha lë të tijtë me 10 vetë, duke nënshkruar kapitullimin e parakohshëm të kryeqytetasve. Nde-shjen do ta nisë më mirë Partizani, kur në minutën e 11-të, Fazliu do të shërbejë për Vilën, që gjuan qendrore. Por Kukësi përfiton nga vendosja e keqe në mbrojtje e të kuqve, ndërsa Ylli Shameti vrapon me top për metra të tërë dhe jep një asist për Pero Pejiçin, me kroatin që gjuan saktë ngjitur me shtyllën duke mposhtur Hoxhën në minutën e 13-të. Por objektivi i vërtetë është Duro, pasi kroati feston me duke synuar pikërisht trajnerin e Partizanit, që e kishte provokuar gjatë javës. Partizani kërkon të ndryshojë diçka, por pavarësisht zotërimit të topit, nuk arrin kurrsesi të jetë i rrezikshëm, ndërsa Vila në të 18′-ëm gjuan shumë dobët me kokë. Por nëse Partizani ka vështirësi të mbyllë aksionet, Kukësi nuk vuan asfare përballë portës. Në të 39-ën Lushtaku kroson në zonë pas një këndoreje dhe Dushku kërcen më lart se të gjithë, duke gjuajtur në shtyllë, por në topin e kthyer pas, është Zeqiri që i pashqetësuar shtyn topin në rrjetë. 2-0 dhe Partizani humbet dhe në aspektin psikologjik, kur Batha del me karton të kuq në minutën e 42-të. Ndeshja praktikisht mbaron këtu, por Pejiç dëshiron ta çojë deri në fund hakmarrjen e tij dhe në minutën e 64-ën kroati shërben për Shametin, duke i kthyer nderin gjirokastritit që tund rrjetën për herë të tretë.
Tirana bën saktë detyrat e shtëpisë, duke mposhtur Elbasanin me rezultatin e pastër 2-0. Gjyqtari Kreshnik Cjapi merr përsipër anulimin e golit për faull ndaj Karabecit, një moment që solli pakënaqësi në radhët e skuadrës së Elbasanit. Tirana arrin të zhbllokojë sfidën me një lëvizje të trajnerit Magani, Jetmir Sefa i he-dhur në fushe si zëvendësues arrin të devijojë saktë në portën e Ruçit, një gol që konfirmon peshën e stolit dhe mbi të gjitha leximin e lojës nga trajneri Magani. Për të hipotekuar fitoren e 14 sezonale, Tirana duhet të priste minutat shtesë. Gjyqtari Cjapi akordon një 11-metërsh për prekje të topin me dorë në zonën e rreptësisë. Bakaj tregohet i saktë, duke gjetur golin e shumë-kërkuar në këtë takim, të dhjetin personal.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: