TIRANE- Ligji i ri i arsimit të lartë në vendin tonë, parashikon përzgjedhjen e studentëve nga vetë universitetet, ashtu siç ndodh në gjithë botën. Këtë e ka shprehur Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Dhori Kule, i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24”.

Duke u shprehur se reforma në arsimin e lartë është shumë pozitive, Kule tha se janë bërë përmirësime me rëndësi në sistemin arsimor në vend.

“Pranimet në këtë vit është siç veprohet në gjithë vendet e botës, ku pranimet e studentëve i bëjnë universitetet. Ligji i pranimeve nuk ka patur kontestime. Ky ligj autorizon universitetet për pranimet e studentëve. Reforma në arsimin e lartë është shumë pozitive, dhe deri më tani përmirësime me rendësi”, tha Kule.

Sakaq, Dekani i Fakultetit të Ekonomisë tha se kurrikula aktuale në sistemin parauniversitar orienton nxënësit drejt programeve në të cilat ata dëshirojnë të ndjekin studimet e larta.

“Kurrikula në sistemin parauniversitar po orientohet që maturantët të maturohen në ato profile që do duan të ndjekin edhe studimet e larta. Në vlerësimin e tim, tani është më mirë. Unë fillimisht e kam kundërshtuar Maturën Shtetërore ku fokusi i nxënësve të bëhej vetëm në 2-3 lëndë dhe të tjerat liheshin pas dorë. Ndërsa tani me reformën në arsimin e lartë, fokusi është tek të gjitha lëndët, dhe vetëm në vitin e fundit bëhet përzgjedhja e lëndëve që të orientojnë drejtë fakultetit ku maturanti dëshiron të ndjekë studimet e larta”, tha Kule.

Dekani Dhori Kule tha se tashmë masteri është bërë me 120 kredite, dhe si masteri shkencor, ashtu dhe ai profesional, do të zgjasë dy vite, duke plotësuar programin 3+2.

Flasim pak për bashkëpunimin me universitetin “Luarasi”. Është hera e parë që bëhet ky bashkëpunim dhe ku konsiston?
Fakulteti i Ekonomisë e ka në themel të vet bashkëpunimin me universitet e tjera, evropiane, amerikane, projektet Erasmus, etj. Dhe ky është një hap me rëndësi i Universiteti të Tiranës në tërësi dhe të Fakultetit të Ekonomisë në veçanti. Me “Luarasin” kemi një lidhje të veçantë pasi aty ka shkuar rektor Arben Malaj, një nga profesorët më të rëndësishëm të Ekonomikut deri para një muaji e gjysmë. Profesor Malaj ka qenë për një kohë të gjatë në Fakultetin e Ekonomisë, profesor i nderuar në departamentin e Ekonomiksit, me një eksperiencë profesionale dhe akademike mjaft të pasur. Gjithmonë ka qenë i pranishëm në fakultet, pavarësisht angazhimeve. Tani edhe pse na iku, nuk na ka ikur shumë larg. Godina e “Luarasit” është afër me Fakultetin e Ekonomisë. Atë godinë unë më parë e doja për Universitetin e Tiranës, por nuk e morëm dot, e mori “Luarasi”. Bashkëpunimi me “Luarasin” do të vazhdojë në degët e Ekonomisë dhe të Jurisprudencës. Pedagogët tanë japin mësim aty, pedagogët Malaj e të tjerë japin mësim tek ne. Ne kemi bashkëpunime me universitetet publike e private ku kemi pedagogët tanë. Ne kemi bashkëpunim me të gjitha universitetet, me “Luarasin” e kemi edhe më të veçantë, pasi tani e kemi komshi, ka bërë edhe një godinë të bukur. Bashkëpunimi është sinergji pozitive. Unë nuk i kam parë asnjëherë si kundërshtarë universitet publike dhe ato private. I kam parë si komplementarë dhe si të tillë duhet të shihen. Kur shikon si komplementare është bashkëpunimi gjendet. Për shembull nëse vjen një profesor i Harvardit te “Luarasi” atëherë pse të mos sillet për të dhënë edhe tek Fakulteti i Ekonomisë në kuadër të bashkëpunimit. Rëndësi në fund të fundit ka produkti, si për universitetet tona, për stafin akademik, për specialistët që përgatisim. Dhe Universitetet private tani duhen parë si e mirë publike. Ato kanë krijuar staturën e vet. Nuk janë më si para 10 viteve. Ata po konsolidohen, ka një rregull tjetër, kanë staf të përgatitur. Edhe komunikimi institucional me ne është kthyer me këmbë në tokë. Nuk konsiderohemi më si armiq. Edhe procedura e pranimeve tani ka qenë i përbashkët. Rregulli i pranimeve ka qenë i njëjtë. Vendimi për të pranuar studentë i marrin vetë universitete. Unë jam shpresëplotë që arsimi i lartë do të jetë i suksesshëm.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb