Gjatë një kontrolli hetimor të policisë në kuadër të operacionit ‘’Lugina’’, është konstatuar një parcelë me 48 lloje bimësh narkotike dhe janë sekuestruar disa lëndë plasëse si dhe një arsenal armësh.
Si pasojë, ka rënë në pranga një 28-vjecar me inicialet R.R, i dyshuar për kultivim të lëndëve narkotike dhe posedimin e sendeve të jashtëligjshme dhe është proceduar penalisht A.L, për shpërdorim detyre.
Njoftimi i policisë:
Tiranë
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 angazhim maksimal 24/7 për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale, në çdo formë të shfaqjes së tyre.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Lugina”.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale bimë të dyshuara narkotike kanabis, sasi lënde plasëse e dyshuar tritol me fitil përcjellës dhe kapsollë, 6 ndezës unifikues granatash, 1 kapsollë detonatore, 1 armë gjahu, 2 qyta arme, 3 krëhëra automatiku, municion luftarak dhe 1 bajonetë metalike.
Arrestohet një shtetas si autor i kultivimit të bimëve dhe posedues i sendeve të jashtligjshme, procedohet penalisht një tjetër për shpërdorim detyre.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 gjatë kontrolleve intensive në terren, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale, në fshatin Shesh, kanë konstatuar një parcelë në të cilën ishin mbjellë 48 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.
Pas konstatimit të këtyre bimëve shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, janë angazhuar maskimalisht dhe kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Pas një pune të mirefilltë hetimore dhe profesionale, bazuar në inteligjencën informative është bërë identifikimi dhe arrestimi i shtetasit R. R., 28 vjeç, banues në Pezë Helmës, i dyshuar për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”, parashikuar nga nenet 278/4, 279, 280 dhe 284 të Kodit Penal.
Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë shtetasi A. L., ndërlidhës me komunitetin në fshatin Shesh, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Në vijim të veprimeve hetimore, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit R. R., shërbimet e Policisë, gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale sasi lënde plasëse e dyshuar tritol me fitil përcjellës dhe kapsollë, 6 ndezës unifikues granatash, 1 kapsollë detonatore, 1 armë gjahu pa lejen e organeve kompetente, 2 qyta arme, 3 krëhëra automatiku, municion luftarak dhe 1 bajonetë metalike.
Materialet i kaluan Prokurorisë.