Një 31-vjeçar ka përfunduar nën pranga, për kultivim të lëndëve narkotike.

Policia njofton se ky person kishte mbjellë 342 bimë kanabis, ndërkohë që kishte hapur edhe 100 gropa të tjera ku do të vijonte të mbillte fidanë. Në pamjet e siguruara gjatë periudhës hetimore, ky shtetas shfaqet duke u kujdesur vazhdimisht për bimët narkotike.

Mbi ngjarjen është proceduar edhe vëllai i 31-vjeçarit.

Njoftimi i policisë: 

Skrapar/Kontrolle intensive dhe hetime proaktive, në kuadër të planit operacional kombëtar anticannabis, të koduar “Territor i pastër”.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Zoom in”. Asgjësohen 342 bimë cannabisi. Sekuestrohen fara dhe sasi të kësaj lënde, si dhe fishekë luftarak.

Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 31-vjeçari që kishte kultivuar këto bimë dhe njëkohësisht kishte hapur 100 gropa në zonë, për të kultivuar bimë të tjera.

Procedohet penalisht vëllai i 31-vjeçarit, për bashkëposedim të sendeve të tjera të kundërligjshme.

Si rezultat i kontrolleve dhe i një hetimi me metoda proaktive, kryer nga Komisariati i Policisë Skrapar, në bashkëpunimin me Drejtorinë Vendore të Policisë Berat dhe me Prokurorinë e Beratit, në vijim të punës për goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, u finalizua operacioni policor anticannabis, i koduar “Zoom in”.

Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi L. Q., 31 vjeç dhe u procedua në gjendje të lirë vëllai i tij, shtetasi T. Q., 44 vjeç, të dy banues në fshatin Krastë.

Nga hetimet rezultoi se 31-vjeçari është autor i kultivimit të 342 bimëve narkotike, në fshatin Krastë, si dhe se kishte hapur 100 gropa në zonë, me qëllim kultivimin e bimëve të tjera. Në pamjet e siguruara gjatë periudhës hetimore, ky shtetas shfaqet duke u kujdesur vazhdimisht për bimët narkotike.

Në vijim, nga kontrollet në banesën e shtetasve L. Q. dhe T. Q., Policia gjeti fara cannabisi, sasi të kësaj lënde narkotike dhe 66 fishekë luftarak.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: