Nga: BUJAR VANI*
Tek sheh tendencën negative të këtyre viteve në drejtim të vlerave trashëgimore, të formulohet vetvetiu në mendje pikërisht ajo çka kemi shprehur në titull: duket se kemi krijuar në mendësinë tonë një “kulturë” të prishjes dhe të varfërimit trashëgimor. Kuptohet, kjo “kulturë” gjen si motivim të saj (spekulativ) rendjen drejt së resë, bashkëkohores, drejt vetë thelbit në dukje të sistemit që kemi rrokur, tregut e konsumizmit dhe mekanizmit lëvizës së tij, që është paraja dhe fitimi.
Po në këtë logjikë dhe nën këtë këndvështrim të utilitetit, vërehet edhe një “vlerësim” sipërfaqësor e shpesh kalimtar i vlerave trashëgimore në funksion të një segmenti të tregut, sektorit turistik. Këtu duket se fillon edhe kontradikta më e madhe dhe përballja më sfiduese mes dy tendencave, asaj të prishjes dhe varfërimit trashëgimor dhe asaj të ruajtjes së kësaj trashëgimie po, dhe vetëm për qëllime tregu (fitimi).
Le të qëndrojmë për një çast në këtë kontekst turistik të vlerave trashëgimore. Në Milano, Romë, Athinë, Stamboll apo gjetkë, turistët e huaj gëlojnë pikërisht që të admirojnë dhe mahniten me arkitekturën e vjetër, me ngrehinat madhështore të lashtësisë apo mesjetës, me objektet muzeale e arkeologjike, me veprat e artit të trashëguara ndër shekuj apo që evokojnë epoka historike e kulturore të ndryshme, pra me vlerat autentike qytetërimore të vendit përkatës. Nuk gjykoj se merr rrugën dikush për të kundruar kulla betoni, shumëkatëshe me vetrata duralumini e fasada xhami, improvizime “arti” me kontekst ideologjik të përkohshëm, “pemëtore” që shiten si parqe publike, ngrehina që diskutohet të prishen apo që janë lënë drejt rrënimit, pllaka përkujtimore që flasin për atentate e baza gueriljesh, objekte kulti të reja në konkurrencë mes tyre, kala të kthyera në kafene apo qebaptore, muze të mbyllura (si ai etnografik) apo në rikonstruksion të gjatë (si ai arkeologjik), etj. – siç mund të haset ngado nëpër qytetet shqiptare.
Pra, edhe zhargoni i rëndomtë i folësve mediatikë për “turizëm kulturor” duket se është thjesht një retorikë boshe, që s’ka asgjë reale në themel. Ndërkohë që dita-ditës njoftimet vijnë se u prish aksh objekt arkeologjik, u tjetërsua iks objekt muzeal, u rrënua iks monument kulture për t’u ndërtuar një pallat në vend të tij, u vodhën apo u shitën jashtë aksh objekte të gjetura spontanisht apo edhe në mënyrë të organizuar, etj. Gati-gati, gjatë gjithë këtyre viteve, ndjehet një garë e ethshme se kush prish, dëmton apo vjedh e shet sa më shumë vlera trashëgimore.
Por në një optikë më të gjerë, mbrojtja dhe konservimi i vlerave trashëgimore nuk ka dhe nuk mund të ketë vetëm vlerën utilitare turistike. Ajo duhet të jetë një vetëdije dhe një detyrë e çdo shoqërie që ka respekt për veten, për historinë, për qytetërimin, për kujtesën identitare të vetën. Zhvlerësimi e më tej prishja dhe varfërimi i kësaj kujtese përmes rrënimit të vlerave trashëgimore, flet për një zvetënim të vetë shoqërisë, për një degradim shpirtëror e mendësor të individëve që e përbëjnë atë, e për më tepër, për një atrofizim e deri armiqësim të elitave politike dhe intelektuale me vetë identitetin e shoqërisë së cilës i përkasin e mjerisht udhëheqin.
Gjithsesi, i kthehemi dukurisë në fjalë, pra “kulturës” së prishjes dhe varfërimit trashëgimor. A është kjo një dukuri e re e mbjellë këtyre viteve, apo ka reminishenca prej vetë të kaluarës sonë?
Duke shfletuar burime historike të ndryshme, apo trajtime autorësh vendës e të huaj mbi jetën dhe historinë shqiptare përgjatë shekujve, vërejmë se kjo dukuri e mjerueshme na ka ndjekur edhe në kohë të tjera. Faktorë të ndryshëm kanë ndikuar që kjo “kulturë rrënimi” të marrë hov apo të zbehet hera-herës, por gjurmë të saj i ndeshim jo pak.
Duhet thënë, për hir të së vërtetës, se në përshkrimet dhe trajtimet historike ndeshen dy forca të kundërta mes tyre, ajo e ndërtimit dhe e krijimit që ka krijuar pikërisht këto vlera që sot i quajmë trashëgimore, si dhe ajo e “prishjes dhe varfërimit” që na ka shoqëruar sidomos shekujve të fundit.
Për ilustrim në mbështetje të pohimit se kemi pasur një kulturë të hershme ndërtimi dhe krijimi, kujtojmë fjalët e studiuesit austriak Karl Treimer, i cili shprehet se “…të parët e shqiptarëve të sotëm kanë qenë bartës të një shteti të madh e të fuqishëm dhe krijues të kulturës europiane të epokës së hekurit, pra të një kulture të karakterit të lartë”.
E më tej sjellim fjalët e Barletit, që i referohet Lukianit, për një nga qytetet tona mjaft të varfëruar në ditët e sotme, Durrësin: “…Brenda ka ndërtesa të shenjta, faltore të hyjnishme dhe madhështore. Dhe atje shikohen qartë fytyra mbretërish e perandorësh, atje shikohen monumente shumë të lashta princash, atje është ngritur mbi një vend të lartë pranë portës Kabalina, me drejtim për nga veriu, truporja, ose më mirë Kolosi shumë i madh i perandorit Adrian, i derdhur prej metali. Veç këtyre, atje ndodhet një arenë ose amfiteatër, i ndërtuar me zgjuarsi dhe mjeshtri të admirueshme. Muret e qytetit janë shumë të fortë, të stolisur dhe të zbukuruar me kulla të larta dhe me vepra të tjera të shënuara. Ai qytet duhet admiruar gjithashtu edhe për çështjet e lundrimit, për dobinë e kriporeve e të mallrave…”.
Edhe në kohë të mëvona është e njëjta gjendje, siç na dëshmon Prokopi i Gazës: “Epidamnit i këndojnë shkrimtarët dhe bashkë me të buçet fama për të si për një qytet që zgjatet nga toka në det… Dhe kur ndonjëri, duke lundruar del nga deti Jon, ai ulet përpara anijes dhe kthehet nga qyteti duke u ushqyer me kënaqësi me pamjen e atyre që shikon”.
Po në lidhje me këtë kulturë ndërtimi e krijimi, shumë autorë vënë në dukje mjeshtërinë dhe artin e shqiptarëve në arkitekturë e ndërtim. Kështu, Pukëvili i vlerëson shqiptarët si mjeshtra ujësjellësish që e trashëgojnë brez pas brezi. Ndërsa Kantemiri (i Moldavisë) shprehet: “Njeriut i mjafton të shikojë vetëm ujësjellësit e Stambollit për t’u bindur mbi aftësinë e mjeshtrave shqiptarë”. E më tej Çelebiu vlerëson “vetëm shqiptarët e ushtrojnë këtë mjeshtri të çuditshme (të puseve) që arrihet me vështirësi nga aftësitë e njeriut”. Kurse Stepan Gerlach në vitin 1674, vëren se “ata (shqiptarët) janë ndërtues të mirë, ngrenë kisha të mrekullueshme, saraje, dhe hane…”.
Në fakt, duken disi të habitshme në kohët tona këto konstatime, kur shqiptarët “jetojnë mbi ujë” dhe vuajnë për ujë! Aq më i habitshëm është vlerësimi për Durrësin…
Por me keqardhje i kthehemi asaj dukurie të dytë që siç thamë ngjan se na sundon ditëve të sotme, “kulturës” së prishjes dhe varfërimit. Edhe mbi këtë dukuri gjurmët janë më të hershme dhe burimet na thonë se përveçse na kanë prishur të tjerët, shpesh kemi prishur e rrënuar ne vetë. Në të vërtetë, për rastin e parë janë faktorë madhorë të jashtëm që na kanë dëmtuar mjaft vlera trashëgimore të lashtësisë apo të kohës, siç konkludon edhe studiuesi Hasan Ulqini: “Me vendosjen zyrtare të krishtërimit në shekullin V e. S., teatrot dhe amfiteatrot u ndaluan me ligj…. Ato u prishën për t’i përdorur si gurore për ndërtime të tjera. Ky duhet të ketë qenë fati i Odeonit dhe Teatrit të Apolonisë aq shumë të shkatërruar, atij të Durrësit, Butrintit dhe Bylisit…. Në muret rrethuese të Bylisit, të ndërtuara në kohën e perandorit Justinian, janë futur një numër i madh kolonash, pjesësh arkitektonike e skulpturash… Shkatërrimtare kanë qenë luftërat ikonoklaste (shekulli VIII), të cilat zhdukën monumentet dhe veprat e artit, sidomos ato të karakterit pagan…”. Apo më tej shkatërrimi që solli lufta me osmanët siç vëren Jireçeku: “…vetëm në rajonin e Krujës, gjatë luftërave të përgjakshme për liri të Skënderbeut, janë zhdukur më shumë monumente sesa në tërë territorin nga Adrianopoja deri në Kostandinopojë…”. Apo më tej shkatërrimi dhe grabitja e shumë vlerave nga serbët e malazezët në fillimet e shekullit njëzet, siç dëshmon Prashnikeri përmes Shoberit: “Siç ka njoftuar N.Vuliç në treguesin arkeologjik… serbët gjatë Luftës Ballkanike kanë pushtuar përkohësisht Durrësin, kanë shfrytëzuar rastin për të dërguar në Muzeun Nacional të Beogradit, mbishkrime, relieve në gur dhe fragmente arkitektonike… i ka gjetur të dëshmuara në këtë muzeum Prashnikeri”.
Padyshim që humbja e këtyre vlerave të patjetërsueshme në këtë mënyrë kushtëzohet nga faktorët historikë dhe nuk mund të ngarkojnë me faj vetë shqiptarët. Por në rastin tjetër, për të cilin na vijnë dëshmi të hidhura, por që në njëfarë mënyre e përjetojmë edhe në ditët e sotme si një model i shëmtuar që na ka ndjekur për shekuj, konfirmohet pikërisht ajo “kulturë” për të cilën nisëm të flasim qysh në fillim. E gjejmë si shqetësim edhe në shtypin e kohës, ku më konkretisht shkruhet: “Kah pazari shihet shtëpia e Vrionasve… e syri ndeshet gjithkund ndër statuja e shtylla, marrë e prú aty prej rrënimeve të Apolonisë së vjetër”. Ndërsa Hasan Ceka në informon se “nga fundi i shekullit XVIII një nga pashallarët e Beratit (Ibrahim Pasha) tërhoqi nga gërmadhat e Apolonisë nga një monument varri në formë tempulli, mëse shtatëdhjetë qerre me gurë të skalitur, të cilët i përdori për të ngritur sarajet e veta dhe godina të tjera. Teqja e bukur e Helvetive në Berat asht ndërtuar pikërisht me materiale gurësh që u morën nga tempulli i përmendur”. Edhe Degrandi konkludon se “Luftërat e vazhdueshme për të pushtuar këtë portë të lindjes (Durrësin) kanë shkatërruar tempujt dhe ndërtesat e bukura… ajo ç’ka mbeti është përdorur vazhdimisht nga vendësit dhe turqit për të ndërtuar fortifikime e më vonë shtëpi… nëpër rrugë, nëpër muret e shtëpive dhe gjithkund mund të shikosh provat e begatisë dhe shkallës së qytetërimit artistik të qytetit”. Duke e lidhur me rolin dhe papërgjegjshmërinë qeverisëse të shqiptarëve në lidhje me këtë aspekt, shohim se edhe në vitin 1929, kur s’kishte më të huaj që të na dëmtonin e të na vidhnin, shtypi i kohës shkruan: “Në të hyrë të Bibliotekës Kombëtare shihen disa trupore të cungueme, ndonjë kapitel… e ndonjë basoreliev… teprica të Muzeut Kombëtar Shqiptar, që pat qenë ngritur tash pak vjet më parë e mbaroi në kurrgja. Duket qeveria ka lidhje kontraktore me shoqëri të huaja për me gërrye e me kërkue në kondita të damshme për historinë kombëtare sepse të huajve ju jepet leja me nxjerrë prej Shqipnije ç’ka më e mira gjindet….”.
Ja pra, prishja dhe varfërimi trashëgimor shpesh na ka ardhur nga vetvetja. Konstatim i fundit mbi “lejet për gërmime dhe për nxjerrje jashtë” të vlerave trashëgimore tonat, duket se na shoqëron edhe sot e kësaj dite. Si të mos mjaftonin dëshmitë se objekte arkeologjike, etnografike, muzeale shqiptare gjenden nëpër muzetë e botës deri në Luvër, Itali, Beograd etj., kemi parë dhe dëgjuar gjatë gjithë këtyre viteve se objekte pafund kanë dalë jashtë vendit, duke u shitur, dhuruar, apo grabitur nga të huajt. Mund të dëgjosh edhe dëshmi të tilla të papërgjegjshme nga gojë politikanësh se “një koleksion ikonash ia kam dhuruar iks ambasadori”. Apo më tej se objekte arkeologjike apo muzeale tonat janë ekspozuar jashtë e më pas na janë kthyer riprodhime të tyre.
Dëshmitë historike, apo edhe ajo çka përjetojmë vetë në këto vite, flasin për këtë “kulturë” të kobshme që na është injektuar në vetëdije, qoftë prej të huajve, qoftë prej ideologjive, qoftë prej elitave politike e intelektuale që shpalosin deri dhe me mburrje papërgjegjshmërinë e tyre kundrejt kësaj dukurie. E nëse nuk ndërgjegjësohemi se trashëgimia kulturore e historike e jona nuk është vetëm një mall tregu e konsumizmi, një “vlerë për të thithur turistë”, por është kujtesa dhe shtrati ynë identitar, nëse vijojmë të kultivojmë këtë “kulturë” prishjeje dhe varfërimi trashëgimor, do të mbetemi dhe do të kujtohemi një ditë si shtet pa identitet, me një shoqëri pa kujtesë, me vizion miop për të ardhmen.

(g.b/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: