Shqipëria, për herë të parë, merr pjesë zyrtarisht në Sallonin Ndërkombëtar të Librit në Torino. Ministria e Kulturës së Shqipërisë, me mbështetjen e Rajonit të Pulias, të Qendrës së Kulturës Shqiptare, të Fondacionit Gramshi të Pulias dhe të Shtëpisë Botuese “Besa”, merr pjesën zyrtarisht, me stendë dhe program të pasur takimesh, në Sallonin e Librit në Torino.

Prania e Shqipërisë në Sallonin e Torinos, e iniciuar prej Ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, nënvizon vullnetin për forcimin e bashkëpunimit kulturor me Italinë, vend me të cilin Shqipëria ka lidhje të thella miqësore dhe përkime kulturore, për t’i dhënë jetë kështu një programi të gjerë aktivitetesh që shërbejnë për njohjen në Itali të kulturës dhe letërsisë së vendin përtej Adriatikut, duke i kushtuar një vëmendje të veçantë brezit të shkrimtarëve të rinj. “Kultura-pashaPORTË”, motoja e Shqipërisë në Sallonin Ndërkombëtar të Librit në Torino – thekson ministrja – nënvizon idenë që kultura, përveçse është një pashaportë identiteti, na jep mundësinë të kapërcejmë kufijtë dhe të komunikojmë me kulturat e tjera.

Në këtë kuptim, letërsia, si shprehja më e gjallë e më autentike e kulturës së një vendi, është mënyra më e mirë për të thelluar lidhjet e vërteta, të bazuara në “vlerat e ngrohta”, ato të dashurisë, miqësisë, poezisë apo historisë”. Strategji kjo e bazuar në mbështetjen e Rajonit të Pulias, në pavionin e së cilit do të zhvillohet të premten, më 13 maj, në orën 17.00, një takim ku Kumbaro, Ministre e Kulturës, do të diskutojë me Drejtuesen për Turizmin dhe Kulturën e Rajonit të Pulias, Loredana Capone, mbi bashkëpunimin dhe mbështetjen e promovimit të kulturës shqiptare në Itali.

Tema e migracionit dhe, në veçanti, dukuria e letërsisë shqipe në gjuhën italiane, do të jetë në qendër të diskutimeve të disa takimeve. Të shtunën, më 14 maj, në orën 14.00, në Sallën Babel të librarisë ndërkombëtare, do të zhvillohet takimi “Përtej kufijve prej uji e fjalësh. Të rrëfesh kufijtë, të rrëfesh vendin tënd dhe atë përballë me fjalë dhe imazhe”, me praninë e shkrimtarëve Anilda Ibrahimi dhe Alessandro Leogrande, regjisorit Roland Sejko, gazetarit dhe drejtuesit të Qendrës së Kulturës Shqiptare, Benko Gjatës, në moderimin e përkthyeses letrare, Mimoza Hysa.

Të dielën, më 15 maj, nga ora 10.30 deri më 11.30, po në Sallën Babel, do të zhvillohet takimi “Nga një vend në tjetrin, nga një gjuhë në tjetrën: shkrimtaria si pashaportë”, me shkrimtarët Carmine Abate, Arben Dedja si dhe Visar Zhiti, i ngarkuari me punë i Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë.

Pasdite, në orën 16.30, në Stendën e Rajonit të Pulias, është parashikuar takimi me temën “Letërsia shqipe e migracionit në gjuhën italiane”, në të cilën do të marrin pjesë Natale Parisi i Fondacionit Gramshi të Pulias, Daniele Comeriati i Universitetit të Montpellier dhe drejtori i revistës “Crocevia”, shkrimtari Arben Dedja dhe gazetarja e shkrimtarja Luisa Ruggio, në rolin e moderatores. Ky takim do të paraprijë kuvendin e letërsisë së migracionit, të parashikuar për në muajin qershor në Pulia, ku do të marrë pjesë gjithashtu dhe Rosella Santoro, drejtore artistike e festivalit “Il libro possibile” në Polignano a Mare, dhe studentët e Liceut Kartezian në Triggiano (BA).

(m.k/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: