TIRANË – Një juri e përbërë nga personalitete të kulturës do të përcaktojë nesër, veprën më të mirë letrare dhe veprën më të mirë të përkthyer për vitin 2013, në një aktivitet të organizuar nga Ministria e Kulturës.

“Vijnë natyrshëm në këtë fund viti vlerësimet e krijimtarisë dhe përkthimit më të mire, – ka njoftuar sot Ministria e Kulturës. – Ndaj kemi kënaqësinë t’iu njoftojmë që të martën në datën 9 dhjetor ora 11.30 në hollin kryesor te Ministrisë së Kulturës do të mbahet ceremonia e dhënies së çmimeve letrare për vitin që shkoi.

Dy janë çmimet e shpallura nga Ministria e Kulturës për vitin 2013:
1.Çmimi i ‘Veprës më të mirë letrare për vitin 2013’ me vlerën 500 000 lekë
2.Çmimi i ‘Veprës më të mirë të përkthyer për vitin 2013’ me vlerë 300 000 lekë

Juria do të përbëhet nga: Saverina Pasho, Rita Petro, Ridvan Dibra, Ben Andoni dhe Brikena Çabej, emra të njohur të botës akademike, të botimeve, të gazetarisë dhe të botës së përkthimit, e ka nisur procesin e shqyrtimit të veprave që në fillim të muajit qershor të vitit 2014. Janë lexuar dhe është debatuar në juri për të gjitha zhanret letrare në fokus – tregimi, romani, poezia, novela, sikundër edhe prurjet më të rëndësishme në përkthimin letrar.

Janë afro 450 vepra ne prozë dhe poezi si dhe vepra të përkthyera në prozë dhe poezi,veprat e vitit 2013 të shqyrtuara nga juria.

Të nominuarit në letërsinë shqipe:
Albana Shala – “Ngarkesa e fëmijës”- tregime
Azem Qazimi- “Për dhuntinë e mahnitjes” -poezi
Flutura Açka – “Kukullat nuk kanë atdhe”- roman
Shkëlqim Çela – “Ishulli Ruzvelt” – dy novela
Thanas Medi- “Fjala e fundit e Sokrat Bubës” – roman

Të nominuarit në përkthim janë:
Arben Dedja – “William Blake “Këngët e pafajësisë dhe të përvojës” poezi të zgjedhura
Alket ani– Saint Jhon Perse, “Poezi të zgjedhura”
Iljaz Spahiu – Mo Yan “Bretkosa” , roman
Guiljem Deda- Ludovici Ariosto, “Orlando i çmendur” , poemë (në dy vëllime)
Sokol Zekaj- Yves Bonnefoy , “Poezi të zgjedhura”

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb