BRUKSEL– Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka reaguar për situatën e krijuar në Kumanovë. Ai thotë se po ndek me shqetësim të madh situatën e krijaur atje, ndërsa kërkon që politika atje të bashkëpunojë për qetësimin e situatës. Ai kërkoi hetime transparente.

“Unë jam duke ndjekur zhvillimet në Kumanovë me shqetësim të madh. Shpreh keqardhjen time për familjet e atyre që u vranë ose u plagosën. Është e rëndësishme që të gjithë liderët politikë dhe të komunitetit të punojnë së bashku për të rivendosur qetësinë dhe të kryhen hetime transparente për të kuptuar se çfarë ka ndodhur”

Duke iu drejtuar politikës, Stoltenberg tha se të gjitha palët duhet të vetëpërmbahen, Një situatë e tillë sipas tij, nuk i shërben rajonit.

“Unë i bëj thirrje të gjithëve që të ushtrojnë vetëpërmbajtje dhe për të shmangur çdo përshkallëzim të mëtejshëm, në interes të vendit dhe të gjithë rajonit”.

BE e shqetësuar për situatën dramatike në Maqedoni: Shmangni përshkallëzimin e dhunës
Ora 17:03- Bashkimi Evropian u shpreh shumë i shqetësuar për konfliktin e armatosur në Maqedoni, në kufi me Kosovën, që shkaktoi 22 të vdekur në radhët e policisë dhe një grupi të armatosur.

“Çdo përshkallëzim i mëtejshëm i dhunës duhet të shmanget, në interes të stabilitetit të përgjithshëm në vend”, deklaroi komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn, në një komunikatë dje në mbrëmje.

Duke u shprehur shumë i shqetësuar nga situata e krijuar në rajonin e Kumanovës, në veri të Maqedonisë, komisioneri evropian u kërkoi autoriteteve dhe të gjithë drejtuesve politikë dhe komunitarë të bashkëpunojnë për vendosjen e qetësisë dhe të kryejnë një hetim të plotë për ngjarjet me objektivitet dhe transparencë në bazë të ligjit.

”Përleshjet e armatosura ndodhën kur policia rrethoi një lagje ku ishin vendosur anëtarë të një grupi të ardhur nga një vend fqinj me qëllimin për të kryer një sulm terrorist”, theksuan dje autoritetet maqedonase.

Sot, një zëdhënës i policisë konfirmoi se anëtarët e grupit të armatosur bënin pjesë një një grup terrorist prej 30 personash. Të shtënat kanë vazhduar edhe sot.

Brukseli ka shprehur gjithashtu shqetësim përsa i përket situatës politike në Maqedoni, ku opozita e majtë akuzon pushtetin konservator për korrupsion dhe përgjimin e 20 000 personave.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: