Një nga zhvillimet më të rëndësishme dhe më pozitive për interesat tona si qytetarë është përqendrimi i vëmendjes, si të partnerëve amerikanë, ashtu edhe të zyrtarëve të Bashkimit Evropian në Bruksel tek ecuria dhe rezultatet e reformës sonë në drejtësi. Mënyra se si po shkon kjo reformë po konsiderohet gjithmonë e më shumë prej tyre si lakmusi për të vlerësuar se sa e meritojmë hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Evropian. Si amerikanët dhe zyrtarët e Brukselit, ndërsa e kanë shumë të vështirë të besojnë te vullneti real (përtej fjalëve) i partive tona politike për integrim (dhe nuk kanë faj), besojnë se reforma në drejtësi do të ketë sukses. Sepse e kanë pagëzuar vetë! Dhe jo vetëm i japin fonde nëpërmjet programeve dhe projekteve të tyre. Nëpërmjet strukturës mbikëqyrëse të quajtur Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, me ekspertët e tyre nga gjyqësori i vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Departamenti i Drejtësisë, sigurojnë pastërtinë dhe profesionalizmin e reformës. Kanë investuar shumë mund, para, durim dhe kohë në këtë krijesë ende të brishtë, të quajtur reforma në drejtësi. Çdo sprovë për ta denigruar dhe anatemuar atë nga kushdo qoftë brenda politikës sonë, regjistrohet me kujdes nga BE dhe SHBA-të. Në lojë është edhe imazhi dhe personaliteti i tyre në Ballkan dhe për këtë ata nuk falin. Nuk mund të dështojnë me reformën në drejtësi në Shqipëri. Nuk ka ngecje apo kthim pas.

Tek ajo nuk i kanë sytë vetëm aktorët tanë politikë. Prandaj dhe BE dhe SHBA-të janë shumë të vëmendshëm dhe të prekshëm, kur reforma sulmohet si e njëanshme nga kamikazët e politikës sonë për ta diskretituar. Nuk kundërveprojnë ballas nga sulmet. Nuk reagojnë menjëherë. Mirëpo kundërveprimi i tyre ndihet në kohë dhe është konstant, i ashpër, gati therës. Quhet izolim ndërkombëtar. Amerikanët kanë shpikur si kundërveprim (jo për ne, por në tërësi për nëpunësit ose ish-nëpunësit e lartë të dyshuar për korrupsion të vendeve të ndryshme) edhe mekanizmin e refuzimit të vizës së hyrjes për në SHBA për këta persona dhe familjarët e tyre. Po pse kjo reformë, e mbrojtur kaq me xhelozi dhe fort nga “kumbarët” e saj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, barazohet sot me gjasat e integrimit tonë në Bashkimin Evropian? Së pari, sepse si zyrtarët e Brukselit, edhe ata të Uashingtonit shohin në institucionet e reja të drejtësisë, të papërlyera nga korrupsioni që mund t’i mbante të shantazhuara nga politika dhe anasjellas, ankorën kryesore për ta sjellë Shqipërinë në molin e Bashkimit Evropian.

Së dyti, sepse sapo të jenë vepruese SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, pandëshkueshmëria dhe “imuniteti” i politikanëve dhe zyrtarëve të lartë të korruptuar të shtetit do të nisë perëndimin e saj. Së treti, sepse bisedimet e vërteta (hapen apo nuk hapen ato formale më 19 tetor) të anëtarësimit në BE për Shqipërinë do të nisin vetëm kur një “peshk i stërmadh” politikani apo zyrtari të lartë shtetëror të korruptuar do të bjerë në rrjetën e drejtësisë së re. Kështu i ndodhi Kroacisë. Me arrestimin e ish-kryeministrit të saj, Ivo Sanader, bisedimet për anëtarësim u përshpejtuan. Besimi në forcën e shtetit ligjor për këtë vend u rrit shumëfish në Bruksel dhe më 1 korrik 2013, Kroacia e pa veten shtet anëtar i Bashkimit Evropian. A mund të përsëritet ky skenar për Shqipërinë. Nëse reforma në drejtësi arrin rezultate konkrete në muajt në vijim, janë të gjitha gjasat që herët a vonë, bisedimet të çelen dhe anëtarësimi të jetë realitet brenda pak vitesh. Me gjithë investimin kolosal të politikës së papërgjegjshme dhe të verbër tonën, për të sjellë paqëndrueshmëri dhe madje provokuar edhe tensione e gjakderdhje në vend, kjo mundësi u shpërbë më 30 qershor. Vetëm në sajë të qëndrimit të zyrtarëve të lartë amerikanë përgjegjës për Ballkanin, Evropën dhe Euroazinë. Në radhë të parë, të të dërguarit të posaçëm të Departamentit të Shtetit për rajonin, Matthew Palmer. Tani realisht nuk ka më vend për tensione të skajshme tek ne. Do të ketë vetëm përpjekje të dobëta për të pjellë paqëndrueshmëri, të cilat nuk do të jenë kurrsesi shkarpat që të ndezin zjarrin e madh e të qëndrueshëm të paqëndrueshmërisë së përhershme politike. Askujt nga aleatët tanë strategjike nuk u intereson një Shqipëri e destabilizuar në rajon. Aq më pak “kumbarëve” të reformës sonë në drejtësi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb