“Populli opozitar do t’i presë biletën Ramës. Por ai ka edhe një takim me drejtësinë amerikane, pasi e pret McGonigal”, kështu u shpreh ish-kryeministri Sali Berisha gjatë një takimi të zhvilluar me qytetarët në prezantimin e kandidatit për Bashkinë Libohovë, Adil Xhelili.

Në këtë takim ish-kryeministri ka akuzuar Mirela Kumbaron duke u shprehur se kur ajo ishte ministre e Kulturës ka abuzuar me tenderat.

Gjithashtu Berisha ka hedhur akuza edhe ndaj Elira Kokonës.

Ai shtoi se Kokona u  merrte para klientëve që kishin paditur shtetin në Strasburg dhe i ndante ato me Edi Ramën dhe ministren Kumbaro.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Kam nder të madh që paraqes sot te ju edhe njëherë kandidatin për qytetar të parë të Libohovës, Adil Xhelili. Dëgjova me interes të veçantë programin e tij, i cili buron nga dashuria e tij për Libohovën dhe qytetarët e saj. Buron nga vizioni i tij i shkëlqyer për t’ua kthyer këtë bashki qytetarëve. Për të qenë një shërbëtor kokë-ulur i secilit prej jush, por njëkohësisht një drejtues me vizion i kësaj bashkie e cila është njëlloj bizhuje margaritari në historinë e kombit për burrat e saj, për rolin që ka luajtur, për emrin që mbart shekull pas shekulli.

Miqtë e mi!

Këto ditë kam kaluar në disa nga bashkitë, ose shumicën e bashkive të jugut. Kam takuar qytetarë, kam takuar dhe kandidatët tanë për kryetar bashkie. Unë mund t’u them ju se tek Adil Xhelili, Thanas Maneka, Ardit Cikuli në Sarandë, Ilir Mehmeti në Delvinë, Fatmir Shero në Konispol, Baftjar Imeri në Tepelenë, Albert Malaj në Memaliaj, Arjan Kasaj në Këllcyrë, dhe Edmond Komino në Përmet, kam gjetur qeveritarë të vërtetë të cilët janë të denjë për çdo kabinet qeverisës të këtij vendi. Janë të denjë për detyrat që marrin nga ju.

Të gjithë këta janë paraqitur me programe për të ngritur bashkitë e rrëzuara përtokë nga kjo qeverisje. Të gjithë këta janë dhe vijnë nga procesi më i lirë, më demokratik në historinë e këtij vendi.

Këtu në Libohovë në këtë sallë dhe tek rrapi kam paraqitur shumë herë kandidatë për kryetar bashkie, kandidatë për deputetë. Por kësaj here vij me kënaqësi të veçantë, se paraqes para jush kandidatin tuaj, kandidatin e votës suaj të lirë, kandidatin e dinjitetit tuaj. Dhe ky është standardi më i mirë demokratik, njëlloj siç vendosëm në vitin ’90 pluralizmin në Shqipëri, kësaj radhë vendosëm pluralitetin në zgjedhje nga ju të kandidatëve për qytetarë të parë të bashkive të vendit.

Ndodh rëndomë që dy vëllezër, njëri të jetë në një parti, tjetri të jetë në një parti tjetër. Ndodh, dhe ka ndodhur edhe me ne që kryetarin e PD, ishte kryetar PD, të shoqen e kishte anëtare të partisë tjetër. Këto janë për njerëzit e emancipuar gjëra normale. Por tani dua të them dy fjalë këtu.

Z.Xhelili vjen para jush dhe para qytetarëve të Libohovës në një proces dinjitoz, me një proces të hapur. Ka dalë para jush dhe ju ka kërkuar besimin, ju ka kërkuar votën, ju ka shprehur mendimet. Ai kandidati tjetër, vjen para jush as më pas e as më shumë sesa kandidat i ndrikull Kumbaros, ndrikull sherrit.

Absolutisht, do t’i qendroja fjalës së parë që edhe vëllezërit të jenë në parti të ndryshme, por tani dallimi bëhet si nata me ditën, sepse zotëria që garon për rilindjen nuk ka marrë asnjë votë nga asnjë socialist. Është promovuar dhe kandiduar nga ndrikulla e cila po të kishte një mbiemër të dytë do të mund të quhej Mirela Sherri. Po të kishte një mbiemër të dytë do mund të quhej Mirela Korrupsioni.

Se kjo zonja Kumbaro, që ta dini ju e ka dosjen plot, edhe e garantoj që ajo dosje do ta ndjekë gjithë jetën e vet. Ajo ka abuzuar në mënyrë të tmerrshme me tenderat në Ministrinë e Kulturës. Kjo zonja Sherr, ka mbajtur Sekretare të Përgjithshme për shumë kohë, derisa i çoi Edi Ramës një zonjë tjetër të quajtur, Elira Kokona, mbesa e Petrit Dumes.

Zonja Kokona në një kohë që organizonte të gjithë tenderat në Ministri të Kulturës, sipas standarteve të ministres bënte avokaten në Strasburg dhe në gjykatën e Tiranës të klientëve që kishin paditur shtetin. Në historinë e botës, veç me ndrikull Kumbaron dhe Edi Ramën, kjo nuk mun dtë ndodhë.

Tani, çfarë ndodhte? Sigurisht, si avokate që klientët kishin paditur shtetin në Strasburg dhe shuma shumë të mëdha. Paratë që iu merrte klientëve në gjykatat e Tiranës që kishin paditur shtetin, i ndante me ministren, kryeministren, me qeveritarët. Se ndryshe ajo duhet të ishte sot e dënuar të paktën 6-12 vite burg. Kurse e mbrojnë paratë të cilat i ka dhënë zonjës Sherri dhe Rama.

A e kupton përfaqësuesi këtu i forcës tjetër se kë përfaqëson? A e kuptojnë qytetarët se ai përfaqëson një ministre, e cila është nga më abuzivet? A kupton ai se përfaqëson një kryeministër, një parti e cila ka vendosur mbi shqiptarët tiraninë e tmerrshme të varfërisë. Ku shkojnë shqiptarët? Pse ikin shqiptarët? Pse nga Libohova janë larguar 40% e banorëve të saj? Pse nga Shqipëria janë larguar 35% e banorëve? Shkaku është një dhe vetëm një varfëria, dhe tirania e varfërisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb