Nga: LILIANA HOXHA *
Të gjitha luftërat si lokale dhe ato botërore e kanë shoqëruar madje zhvilluar njerëzimin në dobi të rishikimit të mentalitetit të tij intelektual pikërisht me veprat e “deriatëhershme” të tij, domethënë për të kuptuar se çdo ligjësi zhvillimi ka vartësi të paevitueshme pra të domosdoshme nga ai “shkak-pasojë”. E pra, njerëzimi jo vetëm dukej, por duhej të kishte nxjerrë mësimet nga pësimet prej historisë së tij. Nuk mjaftuan dy luftëra botërore përderisa disa sofistë kanë quajtur Luftën e Ftohtë midis superfuqisë komuniste kryesuar nga BS dhe superfuqisë së botës së lirë kryesuar nga SH.B.A si Luftën e Tretë Botërore. E cila nuk mund të merrte përmasat që i dedikoheshin, se përplasja ideologjike nuk justifikonte frymëzim shpirtëror masiv në asnjë nga këto superfuqi përveçse synimit të lidershipit botëror. Për më shkurt sipas meje mësimi prej pësimit do të ishte: Kurrë nuk mund të organizohet jeta sipas librave! As sipas atyre të Jezusit të Nazaretit, aq më pak sipas Manifestit të Marksit e kështu as sipas Kuranit e doktrinave specifike bazuar në të. Sepse të gjitha doktrinat duhen njohur nga individi i cili në mënyrë racionale ndërton arsyetimin e tij bazë, filluar nga motivimi për jetën, vazhduar me pajisjen e kulturës së përbotshme, kësisoj për pasojë neutrale, të vendosur përmbi. Kështu kishim besuar që kishim nxënë sidomos nga pasojat e luftërave të shenjta, motivuar prej besimit fetar gjatë shekullarizimit. Vite më parë kur lexoja Oriana Falaçin që e pëlqej si shkrimtare, më trondiste tepër mllefi i përshkrimit të saj, se si ishin dhunuar templarët e përgjithësisht të krishterët prej myslimanëve. Ndonëse nuk ekzagjeronte, duke lexuar atë ndjeja trazueshëm, domethënë jo vetëm keqardhje për mijëra e mijëra të krishterë kokat e të cilëve ishin ngulur në hunj, por ndoshta prej kohës që jo vetëm fashit ekstremitetet e ndjenjave, por sidomos të bën të mendohesh pikërisht për ligjin absolut “shkak-pasojë”.Sepse ajo që po lexoja “më digjte” duart dhe mendjen, se një mllef i tillë mund të nxiste reaksionin zinxhir në të kundërt, sepse edhe myslimanët janë masakruar njëlloj (diferenca është e pamatshme dot njëherësh në të dy krahët). Ndërsa Simon Sebag Montefiore ka shkruar për periudhën paraardhëse të ISIS-it. Binladenizmi – thotë ai- është Qutbizëm, një besim i rilindur për dhunë të shenjtë, për të krijuar Kalifatin, për të sunduar botën nga islami, për të shkatërruar kryesisht qytetërimin perëndimor, hebrenjtë, por dhe islamikët e myslimanët e moderuar. Lajtmotivi i tyre është “ Jahiliyya” e re – thirrje apo himn i përdorur gjatë shekullarizimit, pra doktrina e revizionuar për kohët moderne për luftë të shenjtë në shekullin 21 me program ideor atë të shekullit 7. Një përzierje ideore e Kuranit duke pasur parasysh teknologjinë e lartë të sotme, por me mentalitetin e motshëm arab. Mentalitet ky që nuk kursen asgjë dhe potencialisht masakron njerëzimin kundrejt Xhihadit, bindja e tyre për ardhjen mesianike të Allahut. Për ngjashmëri paralele të absurdit të sotëm të liderëve të fondamentalizmit islamik, kemi bolshevikun Stalin (ortodoks) me të njëjtën mendësi të super njeriut të shenjtë. Pra njerëzimi (sikur është i detyruar të zhvillohet në rrethe të mbyllura) prodhon herë pas here për të mbushur boshllëqe sociale të caktuara, hibridë që duan të dominojnë botën, siç ndodhi me Bin Ladenin e Al-Kaed-ën e deri tek liderët më të sofistikuar të ISIS-it, që tashmë kanë shtetin e trojet e tyre me synim zgjerimi të vazhdueshëm. Ndërkaq, gjithçka ishte paralajmëruar. 11 Shtatori i 2001 ishte vetëm demonstrim që ata nuk kanë asnjë sensibilitet human, përderisa për misionin e tyre shpirtëror janë të vetëflijuar. Është pikërisht kjo thembra e Akilit nga duhet të nisë studimi se si zhvillohet ky paradoks absurd në shekullin e 21, çka mund të na habisë, por kurrsesi nuk duhet ta injorojmë. Përkundrazi të njohim sa më mirë burimin e forcës shpirtërore, ideore e logjistike që i bën të sulmojnë botën (për ta rregulluar atë sipas tyre në emër të Allahut). Është një fatkeqësi botërore që na ka pllakosur, si e tillë duhet pranuar qetësisht për të gjetur shtigjet e neutralizimit të histerisë utopike e kolektive të mendjes së tyre, urdhëruar, manipuluar nga mjeshtra të tillë që tashmë njerëzimi i ka provuar. Kështu duke masakruar e duke u vetëmasakruar aty ku sulmojnë frontalisht, do të vijë dita së pari të ndërgjegjësohen e pastaj të dorëzohen para forcës së përbotshme. Media ka një rëndësi fondamentale në trajtimin e kësaj çështjeje kaq të nxehtë. Këto ditë kemi jetuar me aktin terrorist në Paris. Ndaj duke qenë po aq sensibël për jetën e gazetarëve francezë e për gjithçka që ndodh në Francë do të theksoja: Se duhej pasur kujdes në stigmatizimin e terrorizmit me karikaturat përkatëse. Sepse së pari ishin naive si ide e performim e krejtësisht të pavlefshme kundrejt çështjes kaq të rëndësishme për të gjithë botën. Së dyti tejkalonin edhe moralisht etikën e artit të karikaturës. Së treti ishte tallje e mirëfilltë e besimit të shenjtë të një kategorie njerëzish për fat të keq gjithnjë e në rritje. Arsye kjo që duhet të na alarmonte për të evituar shkaqet e jo më për ti prodhuar vetë. Karikaturat e artikulli satirik duhej ti trajtonte ultra islamikët si njerëz e jo si pupacë të frikshëm, ndonëse këta njohin vetëm rrugën e prerjes së kokës. Rreziku duhet marrë seriozisht për t’ju përgjigjur me efikasitet. Sipas Dostojevskit realisti e pranon faktin, qoftë mrekulli apo tmerr, si diçka të natyrshme ndonëse nuk e ka njohur më parë. Personalisht si pacifiste (kurrsesi disfatiste) do të shtoja po nga Dostojevski: Përulja prej dashurisë së përgjithshme është forcë kolosale, më e madhja nga të gjitha. Të tillë nuk gjen të dytë në botë. Çdo ditë, çdo orë, çdo minutë kontrolloje veten, bëj kujdes të bëhesh bujar e zemërgjerë. Njeriu nuk duhet të dojë rastësisht, por vazhdimisht, gjithmonë.
Së fundi ISIS-i është problem ndërkombëtar, si i tillë dhe problemi ynë sidomos kur ushtrohet në Europë. Çështja që kemi mbi shpatulla nuk injorohet, por zgjidhet duke menduar në mënyrë të gjithanshme, gjithmonë duke pasur parasysh që po “shkaktuam” do “pësojmë”. Pra si ta zgjidhim çështjen me inteligjencë e humanizëm të lartë , duke studiuar shkaqet për të evituar pasojat?.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb