Në kuadër të “Javës së Integritetit”, Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin organizoi takimin me temë: ”Kundër Korrupsionit në Sektorin e Prokurimit Publik” në bashkëpunim me Agjencinë e Prokurimit Publik (APP), Shkollën Shqiptare të Administratës Publike (ASPA) dhe mbështetjen e pranisë së OSBE-së në Tiranë.
Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Znj.Adea Pirdeni, Zëvendëskryetarja e Prezencës së OSBE-së Znj. Clarisse Pasztory, Sekretar i Përgjithshëm i Agjencisë Nacionale kundër Korrupsionit në Itali (ANAC) Z.Filippo Romano, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Prokurimit Publik. Znj. Reida Kashta, Drejtor i Drejtorisë së Trajnimit dhe Komunikimit në ASPA-s, Znj. Arlinda Hoti si dhe ekspertë të tjerë në sektorin e prokurimit publik dhe luftës kundër korrupsionit, u bënë bashkë në një panel dhe diskutuan mbi qasjen e Strategjisë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2024-2030 për të parandaluar dhe luftuar korrupsionin në sektorin e Prokurimit Publik, duke evidentuar bashkëpunimin mes institucioneve për përforcimin e integritetit.
Prokurimi Publik luan një rol kyç në menaxhimin e financave publike. Prandaj, sigurimi i integritetit në ciklin e Prokurimit Publik është thelbësor për parandalimin dhe zbutjen e risqeve të korrupsionit.
Ministrja Pirdeni tha në fjalën e saj se ka nisur të kryhet një vlerësim i thelluar dhe i detajuar i riskut të korrupsionit për identifikimin e proceseve dhe procedurave më të ekspozuara ndaj korrupsionit, si dhe formave të shfaqjes së tij në sektorin e Prokurimit Publik.
“Ne e kemi ideuar Strategjjinë Ndërsektoriale kundër Korrupsionit 2024-2030 me një fokus të veçantë në Prokurimin Publik. Bashkëpunimi ynë me APP-në, merr vlerë pasi ajo mbikqyr procesin si dhe merr masa paraprake përmes ndërhyrjeve ligjore e nënligjore për të parandaluar çdo lloj shkelje integriteti në proces. Nga ana jonë, ne duam që përmes këtij partneriteti, të targetojmë ato pika të nxehta në luftën kundër korrupsionit,” tha ministrja Pirdeni.
Një nga masat është trajnimi dhe certifikimi i detyrueshëm i të gjithë punonjësve të angazhuar në procedurat e Prokurimit Publik. Trajnimet do të zhvillohen nga ASPA (Shkolla Shqiptare e Administratës Publike) në bashkëpunim me APP, do të synojnë ngritjen e kapaciteteve profesionale të ekspertëve. Sipas ministres Pirdeni të gjithë duhet të provojnë se kanë standardet më të larta të integritetit.
“Po punohet për hartimin e një cikli trajnimesh në fushën e Prokurimit Publik mes ASPA dhe APP dhe certifikimit të punonjësve të angazhuar në Autoritetet Kontraktore me procedurat e prokurimit publik. Trajnimi i profesionistëve të Prokurimit Publik nga ASPA do të ngrihet në një tjetër nivel, pikërisht për shkak të detyrimit që buron nga ligji, për të rritur nivelin e profesionalizimit të ekspertëve në këtë fushë. Kjo masë pritet të krijojnë një qasje të qëndrueshme për parandalimin e korrupsionit, për të krijuar një sistem që krijon imunitet të plotë dhe jep besueshmëri për përdorimin me ndershmëri dhe efektivitet të fondeve publike,” tha ministrja Pirdeni.
Ministrja Pirdeni theksoi se Prokurimi Publik si pjesë e grupkapitullit të parë të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian merr vëmendje të shtuar për mënyrën sesi do të shpenzojë fondet publike.
“Në kuadër të procesit të negociatave, Prokurimi Publik është një kapitull i veçantë që përfshihet tek grup kapitujt “Themeloret” jo pa qëllim. Në eventualitetin kur Shqipëria do të bëhet anëtare e BE-së, do të duhet të menaxhojë dhe të prokurojë shërbime përmes fondeve të Bashkimit Evropian. Kjo do të thotë që niveli i alertit do të jetë shumë më i lartë ashtu sikurse do të jetë shumë më i lartë niveli i kontrollit dhe i mbikqyrjes. I gjithë sistemi i Prokurimit Publik do të jetë më solid, pikërisht për t’i dhënë një rol më të veçantë pasi mënyra sesi shpenzohen fondet publike mbetet në qendër të vemendjes përgjatë gjithë procesit të negociatave,” u shpreh ministrja Pirdeni.
Edicioni i VI-të i “Javës së Integritetit” vjen si një praktikë tashmë e konsoliduar, që synon rritjen e ndërgjegjësimit dhe angazhimin kolektiv, në promovimin e sjelljes etike, transparencës, llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë në shoqëri.