TIRANE

Hetimet për ish-prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla, ndaj të cilit rëndojnë dyshimet për 4 vepra penale, do të vijojnë edhe përgjatë tre muajve të ardhshëm. Gjykata për Krime të Rënda vendosi të rrëzojë ankimimin e ish zyrtarit të lartë, i cili përmes avokatit Sokol Hazizaj, kundërshtoi vendimin e prokurorisë për zgjatjen e afateve të hetimit.

Prokuroria pak ditë më parë i dha kohë vetes edhe 90 ditë, për të vijuar hetimet ndaj Llallës, me argumentin se ishte në pritje të një letërporosie dërguar në Gjermani, nga e cila shpreson për të dhëna me interes për cështjen. Kjo përderisa ka dyshime se Adrikatik Llalla është ndaluar në kufi nga autoritetet gjermane disa kohë më parë, pasi udhëtonte me një shumë parash mbi kufirin e lejuar nga ligji. Në séancën gjyqësore të zhvilluar me dyer të mbyllura, avokati Hazizaj këmbënguli që gjykata të urdhëronte institucionin e akuzws për  përfundimin e hetimeve dhe marrjen e një vendimi për dosjen Llalla, për sa kohë sipas tij prokuroria ka patur kohën e nevojshme për të kryer të gjitha veprimet. Megjithatë gjykata i rrëzoi pretendimet e tij.

Hetimet ndaj ish-kryeprokurorit, të cilit iu ndalua dhe hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës bashkë me familjen, nisën thuajse një vit më parë fillimisht në prokurorinë e Durrësit. Me vonë dosja u trasferua në prokurorinë për Krime të Rënda, e cila vendosi të sekuestrojë disa prona të ish-kreut të institucionit qendror të akuzës, me vlerë të konsiderueshme. Ndaj Llallës rëndojnë dyshimet për shpërdorim detyre, fshehje pasurie, mosdeklarim të hollash në kufi dhe pastrim parash.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb