Vendoset gjyqtarja që do shqyrtojë ankimimin e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit. Pas hedhjes së shortit do të jetë gjyqtarja e Gjykatës së Posaçme të Apelit Igerta Hysi e cila do të marrë në shqyrtim kërkesat e ish-Presidentit Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi.

“…kjo gjykatë regjistroi çështjen penale nr. 60 akti, datë 11.11.2024 regjistrimi, mbi ankimet e personave nën hetim Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 125, datë 20.10.2024 dhe vendimit nr. 130, datë 23.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” që ka disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal.
Sipas shortit, trupi gjykues monokratik përbëhet nga gjyqtare Igerta Hysi”, njofton GJKKO.

Ilir Meta u arrestua më 21 tetor me urdhër të SPAK, i cili vendosi masën e arrestit me burg për Presidentin e Partisë së Lirisë që u ndalua teksa kthehej nga Kosova në hyrje të Tiranës nga forca të shumta policia. Po kështu SPAK vendosi detyrim paraqitje për Monika Kryemadhin.

Më 2 nëntor Kryemadhi ankimoi masën e sigurisë duke nisur në GJKKO kërkesën e saj përmes postës. Po kështu më 4 nëntor avokati i ish-Presidentit Ilir Meta dorëzoiankimimin kundër vendimit të arrestit me burg.

Ish-çifti presidencial Meta e Kryemadhi po hetohen për korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie.

Po kështu Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, regjistroi çështjen penale nr. 59 akti, datë 11.11.2024 regjistrimi, mbi ankimet e personave nën hetim Jurgis Çyrbja dhe Ahmet Masha, me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 126, datë 20.10.2024 dhe vendimit nr. 129, datë 22.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” që ka disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal. Sipas shortit, trupi gjykues monokratik përbëhet nga gjyqtare Igerta Hysi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb