Ka përfunduar në një barazim spektakolar sfida e luajtur në “Niko Dovana” në kuadër të çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë mes Teutës dhe Kukësit, një sfidë që u shënua nga gola të shkëlqyer dhe nga situata rokamboleske.

Verilindorët e drejtuar nga Armando Cungu kanë zhvilluar një sfidë shumë të mirë, por në fund janë dorëzuar nga një shpërthim i “djemve të detit” që kanë rikuperuar dy gola në frymën e fundit.

Pjesa e parë do të mbyllet me epërsinë e miqve, që shënojnë në limitet e saj me atë të Rexhinaldos, që në të 45-ën realizon pas një aksioni shumë të bukur të Kukësit. Me fillimin e pjesës së dytë Kukësi gjen golin tjetër me anë të Vasil Shkurtajt (54′), gol që duket se shënon dhe fatet e dy skuadrave me djemtë e Cungut, të cilët janë një frymë pranë çerekfinaleve.

Kukësi do t’i afrohet golit të tretë me anë të Rrocës, por siluri i tij në të 67-ën do të ndalet nga shtylla e Hidit. Teuta nis të shohë më shumë nga porta e Frashërit dhe pas traversës së Kallakut në të 77-ën, do të vijnë dhe golat. Fillimisht do të shkurtojë Bushiç në të 85-ën, ndërsa në të 90-ën bregdetarët do të barazojnë pas një këmbënguljeje të gjatë në zonë me anë të Hakajt. Një 2-2, që e lë të hapur kualifikimin për në ndeshjen e dytë.

(j.s/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: