Do të jetë Kukësi-Tirana finalja e madhe e Kupës së Shqipërisë, që do të përcaktojë dhe fituesin e trofeut më 2 qershor. Ky është verdikti i takimeve gjysmëfinale, që kanë përfunduar pak çaste më parë dhe që kanë përcaktuar dy skuadrat finaliste, të cilat eliminuan respektivisht Skënderbeun dhe Luftëtarin.

Në Korçë, kampionët në fuqi kishin për detyrë të përmbysnin humbjen 2-1 të pësuar në Kamëz në takimin e parë, por Kukësi i Gjokës ishte shumë i fortë, me trajnerin që mban fjalën duke hedhur në sulm ekipin e tij, që udhëheq 2-0 në pjesën e parë me golat e Rexhinaldos në minutën e 19-të dhe autogolin e Abazajt në të 42-ën. Por me fillimin e fraksionit të dytë, Dejvi Bregu ndez shpresat e bardhekuqve, duke rihapur takimin me golin e tij të minutës së 47-të. Por 11 minuta më pas i vë kapak çështjes së kualifikimit Valdet Rama, me një shpërthim të bukur në krahun e majtë dhe që lë të pashpresë Dajsinain në shtyllën e parë. Deri në fund nuk do të ketë më gola dhe Kukësi shkon kështu në finalen e madhe

Në kryeqytet, Tirana priste Luftëtarin pas barazimit 0-0 në ndeshjen e parë, ndaj kjo sfidë kishte shumë kërshëri. Në minutën e 21-të është Asion Daja, i cili çel rezultatin me një ekzekutim të shkëlqyer akrobatik, por 4 minuta nga fundi i pjesës së parë, një gabim në mbrojtje i Maveje, kthehet në rast ideal për Filin, që tund rrjetën e Abibit. Tiranës i duhet medoemos të shënojë dhe këtë e bën sapo nis 45 minutëshi i dytë, kur Kobina ekzekuton saktë penalltinë e fituar nga Daja, ndërsa në të 53-ën, Majkëll Ngo çan me forcë mes mbrojtjes gjirokastrite, duke thyer për herë të tretë Ruçin në këtë sfidë. Tirana nuk përmbahet më dhe kërkon gola të tjerë dhe gjejnë goline katërt nga një tjetër gafë në mbrojtje e miqve, me Sentamun që e çon rezultatin në 4-1 në minutën e 72-të. Luftëtari do të ndezë një rreze shprese në minutën e 80-të pas golit me kokë të të riut Oshafi, por 8 minuta më pas, Sentamu shënon golin e pestë dhe të dytin personal, duke vulosur kualifikimin dhe duke bërë që goli i Nezirit në kohën shtesë të vlejë vetëm për statistikë, pasi bardheblutë tashmë më 2 qershor do të ndajnë trofeun e Kupës me Kukësin.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb