Tirana mposht Flamurtarin 2-0 dhe arrin një rezultat shumë të mirë për të synuar për në turin tjetër të Kupës së Shqipërisë. Në fakt sfida nisi që pasditen e së mërkurës, por shirat e dendur në kryeqytet detyruan zyrtarët e FSHF-së ta spostonin këtë përballje për ditën e sotme, sfidë që nisi në minutën e 25-të, atëherë kur u ndërpre 25 orë më parë.

Tirana do të shënojë dy gola të shpejtë, kur në minutën e 37-të anglezi Majkëll Ngo do të realizojë nga brenda zonës së rreptësisë duke shfrytëzuar një top vakant, ndërsa tre minuta më pas është Eriol Hoxhallari që godet nga distanca dhe përfiton nga gabimi i portierit Koliçi për ta çuar topin në rrjetë.

Pjesa e dytë do të jetë e luftuar dhe me nervozizëm nga të dyja skuadrat, ndërsa kryesori Bajrami fal Hasanin pas një ndërhyrjeje absurde ndaj Torasës në minutën e 85-të. Gjithsesi asgjë nuk do të ndryshojë dhe Tirana do të shkojë në Vlorë pas dy javësh me një avantash të çmuar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb