Tirana shkon në Gjirokastër, por mendjen e ka pas. Vërtet gjysmëfinalja e Kupës së Shqipërisë kundër Luftëtarit është e rëndësishme, por në ambientin bardheblu fokusi më i madh është në kampionat, pasi rreziku i rënies nga kategoria është ende i lartë. Por trajneri Mema nuk heq dorë as nga kupa e natyrisht as nga kampionati.


“Më pëlqen shumë mënyra si luan Luftëtari, kam parë videot e tyre këto ditët e fundit dhe është kundërshtar shumë i fortë. Natyrisht, kemi marrë masat tona, tani duhet të mendojmë për dy ndeshje, jo për një. Kërkojmë rezultate pozitive, duke synuar një rezultat të mirë që në vajtjen e kupës, por realisht Luftëtari është kundërshtar i fortë, që të vë në vështirësi. Po mendojmë për të dyja ndeshjet, kanë shumë vlerë, e para është për të tentuar afrimin me finalen, e dyta për mbijetesën. Ahmatajn e kam mik, po bën një punë shumë të mirë në Gjirokastër, është pjesë e brezit të ri të trajnerëve dhe e vlerësoj shumë për atë që ka bërë. Nesër përballemi, do t’i tregojë fusha të gjitha. A i përballojmë dot të dy kompeticionet? Nuk kemi pasur diferenca në lojë me kundërshtarët, nuk kemi marrë pikë për probleme që i kemi evidentuar më herët. Është bërë punë, ekipi ka luajtur mirë, por ndonjëherë episodet dhe fati kanë qenë kundër nesh”.


Frika e përsëritjes së dy sezoneve më parë


“Nuk mendoj se është e njëjta situatë me 2 vite më parë. Tirana nuk është se ka bërë atë që ka bërë vitet e shkuara, si për shembull të mos fitojë për 13 ndeshje rresht. Ne kemi fituar, ashtu si kemi lënë pikë, si në ndeshjen me Laçin për shembull, apo në Vlorë ku humbëm penallti. Me ato 3 pikë do ishte ndryshe renditja, por rëndësi ka që në vazhdim të mos bëjmë gabime të tilla”.

Presioni klasifikimit

“Po, na e ka shtuar shumë presionin, por kundër Kukësit nuk e patëm përqendrimin e duhur, edhe pse ekipi nuk luajti keq, pavarësisht se renditja krijon presion. Ndoshta kam gabuar edhe unë, filozofia ime është që një ekip që sulmon e tremb kundërshtarin, por natyrisht duhet shumë kujdes edhe në aspektin mbrojtës”.

Golat e pësuar me thjeshtësi

“Ajo është pjesa që më ka ngacmuar dhe më mërzit ende, kemi dhuruar dy gola dhe duhet të tregohemi më të përgjegjshëm. Nuk mund të falim gola të tillë gjithë sezonin. Një futbollisti i kam thënë që një gabim në 30 ndeshje lejohet, por ne na ka ndodhur shpesh. Ndoshta jam unë fajtori, secili duhet të marrë përgjegjësitë e veta dhe në 99% të rasteve unë marr përgjegjësinë për gabimet që bëjmë”.

Sulejman Mema deklaroi se Tirana ka lojtarë mediokër

“Nuk kam ndonjë koment, futbolli është paksa subjektiv dhe secili ka mendimin e tij. Varet për cilin e ka dhe në ç’kushte e ka thënë, por secili ka të drejtë të thotë atë që mendon, sipas këndvështrimit të vet, unë mund të kem këndvështrim ndryshe. I respektoj të gjitha llojet e komenteve, nuk mund të merrem me këto gjëra, sepse rëndësi ka realiteti”.

Kritikat nga legjendat e klubit

“E vërtetë, nuk është momenti për të replikuar me njëri-tjetrin, përtej problemeve personale. Tirana, familja jonë, është mbi gjithçka”.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: