Tirana kishte pritur plot tre vjet për të gjetur një fitore ndaj Laçit, me krubinasit që i kishin dominuar në vitet e fundit bardheblutë, por rritja e skuadrës së Ardian Memës në muajt e fundit është e prekshme për këdo në ambientin kryeqytetas.


Në Kupën e Shqipërisë, Tirana ka treguar dhe njëherë potencialin e saj, duke dominuar Laçin në lojë dhe në rezultat, për të shpërthyer me tre gola në fraksionin e dytë, që praktikisht u siguron bardhebluve një biletë në gjysmëfinale, ndonëse janë ende 90 minuta për t’u luajtur në Kurbin.


Golin e parë për Tiranën do ta shënojë Majkëll Ngo, me anglezin që shfrytëzon në perfeksion harkimin e nga e majta të Imamit dhe me kokë thyen Selmanin në minutën e 53-të. Shtatlarti i sulmit bardheblu do të gjejë rrjetën sërish 12 minuta më pas, kur lëviz mirë në zonë dhe me të djathtën thyen Selmanin për herë të dytë në këtë takim.


Laçi i dorëzohet furisë bardheblu, që shënon dhe golin e tretë me Edon Hasanin, që finalizon saktësisht një zbritje mjaft të mirë të Ngosë dhe Kobinas. Laçi do të përpiqen të shënojë një gol shprese, por aksionet e bardhezinjve janë të vakëta, me kurbinasit që do të kenë nevojë për një mrekulli për të përmbysur këtë Tiranë në sfidën e kthimit.

(j.s/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: