Pas afro 2 vitesh, Simone Inzaghi humbi një derbi, por ky fakt nuk i ul aspak kuotat e tij në botën e treningut. Sipas mediave italiane, paraqitja e Inter në Champions kundër Man.City nuk kaloi në heshtje, por si rrallë herë ai që tërhoqi vëmendjen nuk ishte ndonjë lojtar specifik, por trajneri Simone Inzaghi.

Tekniku zikaltër ishte i vëzhguari special i “djajve të kuq”, mënyra se si ai i bëri ballë ekipit të Pep Guardiola-s, por dhe ajo që ka arritur në krye të Inter në vitet e fundit, ka bërë që drejtuesit e Man.United ta shohin si zëvendësuesin e mundshëm të Ten Hag në fund të këtij sezoni. Sigurisht, ky diskutim është thjesht në letër, një dëshirë, pasi deri në fund të këtij sezoni mund të ndryshojnë balancat për të dy trajnerët.

Është e qartë prej kohësh që ky sezon është shansi i fundit për Ten Hag, nëse nuk fiton trofe, ose del shpejt nga gara, e pret shkarkimi i sigurt.

I ndryshëm është diskutimi për Simone Inzaghi-n. Edhe humbja në derbi, apo starti jo i mirë i këtij sezoni, nuk lëkund pozicionin e tij. Këtë të martë në “Appiano”, Inzaghi do të takohet me drejtuesit e klubit, presidentin Marotta, Javier Zanetti dhe Piero Ausilio.

Sipas La Gazzatta dello Sport, nuk parashikohet ngritje tonesh, por thjesht një takim formal për t’i treguar trajnerit se ka mbështetjen totale të stafit drejtues.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb