Gjashtë vite e gjysmë më parë, më 1 janar 2013, Kroacia, nën entuziazmin e finishit të afërt për anëtarësimin në Bashkimin Europian, ia arriti. Arriti që kuponin tatimor ta bëjë të shikueshëm në kohë reale nga organet tatimore të saj. Futi ligjin e ri fiskal, si një koncept i kontrollit të bizneseve dhe qarkullimit të tyre. Megjithëse Italia ishte vendi i parë që futi ligjin për përdorimin e pajisjeve specifike fiskale që në vitin 1983, Republika e Kroacisë është një nga vendet e para në botë me atë lloj fiskalizimi, i cili kërkon që transaksionet përkatëse fiskale t’i dërgohen më përpara autoritetit fiskal përmes internetit, për autorizim. Këtë po kërkon të bëjë edhe qeveria jonë. Kanë filluar përgatitjet në administratën tonë tatimore dhe si qytetarë shpresojmë me gjithë shpirt që ato të jenë të ethshme dhe serioze. Sfida është e jashtëzakonshme. Duhet kuptuar si e tillë. Zbatimi i llojit të ri të fiskalizimit në Kroaci ishte shumë i shpejtë. Specifikimet teknike të domosdoshme u kryen në tetor 2012 dhe ligji i ri u zbatua vetëm tre muaj më vonë, më 1 janar 2013. Prodhuesit kroatë të programeve kompjuterike nuk ishin shumë optimistë. Rezistenca për këtë koncept të ri fiskalizimi, nga shumë grupe taksapaguesish të rëndësishëm ishte tejet e fortë. Veçanërisht për shkak të periudhës së shkurtër kohore për zbatim. Por ligji i ri e provoi në gjashtë vite e gjysmë të ishte një sukses. Mbi 11 miliardë fatura fiskale u lëshuan në Kroaci, që nga fillimi më 1 janar 2013 e deri me 31 dhjetor 2018. Serverët e administratës tatimore kroate(të quajtur shkurt FINA), përmes të cilëve u nënshkruan të gjitha faturat, nuk dështuan asnjëherë. Mesatarisht 6.4 milionë fatura lëshohen sot në ditë në Kroaci.


Sipas ligjit, çdo faturë duhet të shtypet dhe t’i dërgohet Autoritetit Tatimor. Komunikimi bëhet përmes lidhjes në internet. Serveri i autoritetit tatimor kthen të dhëna si: shumat, taksat mbi të ardhurat, numrin unik të arkëtarit(ose arkëtimit) dhe informacionin e pagesës. Sipas ish-ministrit kroat të Financave, z. Sllavko Liniç, i cili ishte ndër ideatorët dhe mbështetësit më të frymëzuar, fiskalizimi përbën një nga projektet më të suksesshëm të historisë së administratës tatimore kroate. Ky fiskalizim, i njohur tani si “modeli kroat”, u ka shërbyer administratave tatimore të Sllovenisë (viti 2016) dhe Çekisë (viti 2017) për të zhvilluar proceset e tyre të fiskalizimit. A do të na shërbejë edhe ne? Duke parë draft-ligjin tonë të fiskalizimit, të quajtur “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, të publikuar nga Ministria jonë e Financës dhe Ekonomisë në faqen e saj në internet për marrje mendimi, ai ngjason shumë me ligjin kroat. Mirëpo ligji kroat hasi shumë sprova të forta. Më e forta(me Kroacinë me nivel informaliteti në ekonomi 12 për qind), ishte ajo e mungesës së internetit për bizneset, që, me fjalët e vetë ish-ministrit kroat të Financave, z. Liniç, “… hapi një dritare të vogël për ata që synojnë të mashtrojnë, pasi gjatë kësaj periudhe offline(pa internet), faturat lejohen të nënshkruhen vetëm me “file” (dosjen në kompjuter) të çertifikatës dhe mund të mos ngarkohen fare pranë Autoritetit Tatimor, ose të zbulohen modifikime, madje edhe çertifikata false” (http://www.salesdatacontroller.com/croatia-5th-year-fiscalization/). Po te ne, me nivel informaliteti në ekonomi ndërmjet 35-40 për qind(sipas Bankës Botërore)?


Kjo “dritare e vogël” abuzimi në Kroaci mund të shndërrohet lehtësisht në autostradë evazioni dhe abuzimi në Shqipëri. Prandaj duhet bërë shumë kujdes. Sipas ish-ministrit kroat(po sikur këtë Liniç ta marrim si këshilltar të fiskalizimit tonë?), mekanizmat e fuqishëm të zbatimit të ligjit dhe personeli i trajnuar mirë i administratës tatimore arritën t’i përmbajnë disi dhe t’i luftojnë me sukses tentativat e panumërta për mashtrim fiskal. Që shkonin nga shtypja e vetëm atyre kuponave të autorizuar nga administrata tatimore në rast kontrolli, duke bërë kërdinë me kupona fiskalë të paregjistruar në serverin e administratës gjatë kohës tjetër, tek ndryshimet e dhunshme në programin e çertifikuar kompjuterik, tek vlera të ndryshme të faturës në kupon dhe në server, tek afati 48 orë i ligjit kroat kur shkëputet komunikimi(interneti), si mundësi ideale për manipulim) e deri tek shtypja e kuponave të falsifikuar për evazion fiskal, ose për të dëmtuar sipërmarrjen e ngjashme konkurrente(denoncim tek tatimet për t’ia bllokuar aktivitetin). Kemi katër muaj e gjysmë kohë për t’u përgatitur si duhet. Kuponi tatimor në kohë reale mund të jetë një ëndërr shumë e bukur për sukses ndaj luftës kundër evazionit fiskal dhe informalitetit. Mirëpo po nuk u përgatite si duhet, mund të të shndërrohet në një makth dhe dështim spektakolar. Dhe administrata jonë tatimore ka shumë nevojë për trajnim, dije dhe motivim të fortë. Qeveri e vendit tim, ndihmoje këtë administratë të jetë në lartësinë e detyrës! Pa shkop xhandari dhe koka turku. Pa fushata, batuta, skërmitje apo dhe lëvizje të momentit të fundit. Por me kujdes, durim, mirëdashje dhe vendosmëri. /GazetaShqiptare/