Nuk ka rëndësi nëse në një lokal tejet të njohur në qendër të Tiranës, apo në një hotel po aq të njohur, aktiviteti u pezullua disa ditë për një apo për dhjetëra shërbime kafeje apo lëngjesh të shërbyera për klientët pa paraqitjen e kuponit tatimor. Shumëkush mund të thotë: “Kjo gjobë apo kjo masë pezullimi aktiviteti është e tepërt”. Shumëkush mund të thotë po ashtu se po shkelet Kushtetuta në orientimin e saj për sanksione administrative(gjoba është një dënim administrativ) të arsyeshme. Mirëpo, deri tani mendësia jonë jo shtet-respektuese nuk ka përfillur asnjë detyrim ligjor të arsyeshëm. Hiq Moldavinë, jemi vendi më informal i Evropës. Edhe Kosova është më mirë se ne në respektimin e shtetit nëpërmjet faturës tatimore. Kuponi tatimor, vërtetimi ligjor që një shitblerje bëhet në sytë e shtetit, ka qenë dokumenti më i papërfillur i historisë së tranzicionit tonë të gjatë. Edhe në rastet e rralla kur na e jepnin në dyqane të mëdha, ose e refuzonim me shpërfillje, ose sapo kalonim dyqanin, e hidhnim në rrugë apo në koshin e parë. Tani e marrim dhe në sy të shitëses e hedhim në kosh, ose ia lëmë asaj ta hedhë. Ndërkohë që për të gjitha vendet e tjera evropiane, kuponi është një bazë e ekzistencës dhe e funksionimit të shtetit. Madje dhe në Greqinë fqinje. Disa herë prodhueset fizike të kuponit, kasat fiskale kanë dështuar të jenë vepruese tek ne. Historia e vendosjes së tyre dy herë me radhë më 2004 dhe 2010, është sa qesharake aq edhe e trishtë.

Qeveritë tona dhe koncesionarët e zgjedhur prej tyre kanë marrë ca para(për Shtetin dhe për “vedin”) nga shitja e kasave biznesit të vogël. Ndërsa vetë biznesi, pasi është ankuar, madje ka bërë edhe protesta të forta për pagesën, në vitet në vijim është tallur me pluhurin mbi kasën e papërdorur dhe pafuqinë e shtetit për t’i kërkuar llogari pse nuk e përdor. Mirëpo tani, me projektin e bizneseve me xhiro mbi 20 milionë lekë të vjetra në vit me fatura online nga 1 janari 2020, evazioni gjigand tatimor(përllogaritje jo zyrtare flasin për 460 milionë euro rrjedhje në vit) nga mungesa e dhënies së kuponit mund të pësojë goditjen dërrmuese që nuk e ka marrë këto 25 vite. Evazioni i atyre 800 kompanive të përmendura dikur nga kryeministri, me bilance të trukuara, më në fund, do ta ketë mision gati të pamundur të trukojë aq fort dhe aq hapur. Dhe të tallet me shtetin që nuk ia gjen dot shmangien apo manovrimin.

Me gjithë përpjekjet e tatimeve, ato 800 kompani të mëdha me bilance jo në rregull me shtetin nuk u kapën kurrë. Fshiheshin pas tregut informal të biznesit të vogël që tregtonte produktet dhe shërbimet e tyre pa faturë. Kurse tani muzika ndryshon kryekëput. Kjo, pse, sipërmarrjet e mesme dhe të vogla(janë mbi 40 mijë bizneset e vogla të regjistruara që kanë një xhiro mbi 20 milionë lekë të vjetra në muaj), me këtë rregull të kuponit online, duke qenë shitës fundorë të bizneseve të mëdha, i nxjerrin ato më në fund zbuluar lidhur me çmimin e ndërmjetëm që aplikojnë kur malli ndërron pronar pa arritur te konsumatori. Arrihet më në fund gjurmimi i rritjes së vlerës së mallit kur ai ndërron pronar ende pa u shitur përfundimisht. Si dhe dalin zbuluar çmimet abuzive të referencës për mallrat e importuara, që përbëjnë më shumë se 82 për qind të tregut të sotëm të mallrave tek ne. Projekti i kuponit online mund të ketë shumë pikëpyetje në mënyrën e zbatimit të tij, por është zgjidhja përfundimtare. Pasi nuk do të ketë më tallje me autoritetin e shtetit dhe të dokumentit të tij themelor fiskal, kuponit tatimor. Deri atëherë, është me rëndësi parësore që kuponi fizik të kërkohet me këmbëngulje dhe masat në rastet kur ai nuk lëshohet, të jenë drakoniane. Më në fund edhe shteti në tatime po fillon të bjerë era “shtet”./GazetaShqiptare

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: