TIRANË- Kombëtarja Shqiptare e Futbollit ka mbërritur në Armeni rreth orës 17:07, për ndeshjen e nesërme dhe të fundit për kualifikueset e Europianit 2016.

Lojtarët e Kombëtares, së bashku me De Biazin kanë zbritur në kryeqytetin armen, Jerevan dhe do të udhëtojnë drejt hotelit ku do të qëndrojnë këto dy ditë.

Kujtojmë se ndeshja luhet nesër në orën 18:00 dhe Shqipërisë i duhet fitore që të kualifikohet direkt në “Euro 2016”. Në rast barazimi apo humbjeje, Shqipëria do të luajë në play­off në muajin nëntor.

KUQEZINJTË STËRVITEN NË ARMENI
ORA 19:30­ Kombëtarja Shqiptare ka zhvilluar seancën e parë stërvitore në stadiumin “Republikan” të Armenisë ditën e sotme, pasi mbërriti në kryeqytetin Jerevan.

Kuqezinjtë janë stërvitur për rreth 15 minuta nën drejtimin e De Biasit. Ajo që ra në sy është mungesa e Andi Lilës, i cili u dëmtua në ndeshjen ndaj Serbisë.

stervitja

KOMBËTARJA NISET DREJT ARMENISË, MESAZHI I TIFOZËVE KUQEZI: NA SIGURONI BILETËN PËR “FRANCË 2016”
ORA 14:50 Përfaqësuesja kombëtare shqiptare e drejtuar nga tekniku Xhani De Basi u nis në Armeni, ku do të përballet këtë të dielë me përfaqësuesen vendase, në stadiumin e kryeqytetit Jerevan, në ndeshjen e fundit eliminatore të Europianit “Francë 2016”. Në Rinas kishin shkuar për t’i përcjellë një grup i tifozëve “Kuqezi” të cilët uruan fat dhe sukses në këtë ndeshje shumë të rëndësishme.

Ata iu kanë dhuruar të Kombëtares një banderolë simbolike ku shkruhej: “O sa mirë me qenë shqiptarë…”. Përveç banderoles, tifozat Kuqezi kishin edhe një mesazh për futbollistët e Kombëtares. “Na siguroni një biletë për finalet e kampionati Europian “Francë 2016”. Në udhëtim me kuqezinjtë ka qenë dhe Presidenti Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, i cili është shprehur se ekipi do të bëjë gjithçka për të marrë kualifikimin. Lidhur me kundërshtarine nesërm të Kombëtares, Armeninë, Duka u shpreh se kundërshtari është një skuadër e fortë, por duke qenë se ekipi ynë e ka mundur njëherë, kjo mund të ndodhë sërish. Një fitore të dielën me Armeninë, do të na kualifikonte automatikisht në kampionatin evropian Francë 2016.

JA MESAZHI I DE BIASIT
“E njëjta histori është gati e pabesueshme. Nuk ka asnjë justifikim për mënyrën sesi e pësuam”, tregojnë për gazetën lojtarët kuqezi, të cilët nuk kishin dëshirë të identifikoheshin. Burime të “Panorama Sport” pranë Kombëtares kanë bërë të ditur se trajneri De Biazi nuk ka humbur kohë, por menjëherë pasi ekipi ka konsumuar vaktin e mëngjesit, i ka thirrur lojtarët në mbledhje në sallën e konferencave të rezidencës.

“Serbia është tashmë një kapitull i mbyllur për ne. Ua thashë edhe pas ndeshjes që u rrëmbyem nga euforia dhe nuk u treguam inteligjentë në fushë. Kurrsesi nuk duhet të ndodhte, por tashmë gjithçka ka mbaruar dhe duhet të harrojmë atë që iku. Na pret një finale në Armeni dhe duhet ta përgatisim të qetë këtë takim. Do të shikojmë së bashku kundërshtarin, duke u fokusuar 100% te loja e tyre. Të gjithë jeni të ndërgjegjshëm për rëndësinë e këtij takimi, unë besoj shumë te ju. Një fitore na çon në Francë, nuk ka vend për dekurajim”.

“Nuk është ajo Armeni që kemi mundur, ka ndryshuar, kështu që duhet të jemi shumë të kujdesshëm për të ndjekur më mirë cilësitë dhe të metat që ka kjo skuadër. Na pret një ndeshje e fortë, ata vijnë pas një humbjeje të thellë, do të duan ta mbyllin pozitivisht”, u ka thënë italiani lojtarëve. Pasi u analizua kundërshtari me ndeshjen e tij të fundit, pritet që sot ekipi të vëzhgojë një tjetër ndeshje të Armenisë, por këtë herë në rastet kur kjo skuadër ka arritur rezultate pozitive”.
(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: