Njëzet e tetë vjet pasi anije të mbushura me shqiptarë të dëshpëruar zbarkuan në Maltë, ata që kërkonin strehë dhe personat që i ndihmuan emigrantët atje kujtojnë sesi ndalesa e tyre çoi në një solidaritet të jashtëzakonshëm.


Mbrëmjen e 8 gushtit 1991 Daphne Caruana Galizia – asokohe një reportere e re për Sunday Times of Malta – qëndronte në Gjirin e Shën Palit, duke dëgjuar bisedën në radio midis dy anijeve shqiptare, Durrësi dhe Lirija, dhe autoriteteve të Maltës.


Më herët atë ditë, anijet kishin mbërritur në Maltë nga porti i Vlorës në jug të Shqipërisë, me qindra njerëz në bord.


Shumë prej tyre ishin të rinj të dëshpëruar për t’iu largua vështirësive ekonomike të atij që atëherë ishte vendi më i izoluar në Europë – krahasuar rregullisht me Korenë e Veriut.

Reporterja e ndjerë, e cila u bë një ikonë e anti-korrupsionit pasi u vra nga një makinë bombë në vitin 2017 – dokumentoi “fytyrën njerëzore të tragjedisë” duke folur me një grup kryesisht adoleshentësh – disa prej të cilëve kishin hipur në anije dhe tani ishin sistemuar në një shkollë fillore në pritje që të riatdhesoheshin.

“Duke parë këto fotografi pas kaq vitesh, sigurisht që të ngjallin emocion,: kujtoj Ndriçim Baçi, i cili atëherë ishte 22 vjeç dhe ishte nisur për në Maltë me vëllain e tij 15-vjeçar, Avniun.

“Kanë kaluar njëzet e tetë vjet, por ende i mbaj mend ato momente dramatike,” shton Baçi, i cili së bashku me familjen e tij tani jeton dhe punon në Itali.

Pas tre ditësh në ishull, emigrantët u riatdhesuan nën një marrëveshje midis autoriteteve malteze dhe ministrit të jashtë të atëhershëm të Shqipërisë, Muhamet Kapllani, me premtimin se të kthyerit nuk do të lëndoheshin apo persekutoheshin.

Shumë maltezë, Caruana Galizia ndër ta, nuk ishin dakord me vendimin për të kthyer pas emigrantët shqiptarë. Në një koment të mëvonshëm në Sunday Times, ajo u shpreh se atyre duhet t’u ishte ofruar azil politik.

Por gjendja e tyre e vështirë i preku shumë dhe një grup vullnetarësh nisën një përpjekje për të mbledhur ushqime dhe rroba për t’i dërguar në Shqipëri.

Pas një apeli nga Nënë Tereza – murgesha etnike shqiptare tani e nderuar si Shën Tereza e Kalkutës – ndihmë u siguruar gjithashtu edhe nëpërmjet disa institucioneve të Kishës Katolike dhe ishulli nisi ngadalë përpjekjen e tij të parë për zhvillim jashtë vendit.

“Shqipëria u bë një vend që maltezët do ta birësonin,” shpjegon Claudia Taylor East, drejtoresha ekzekutive e SOS Malta, një organizatë e krijuar për të ofruar ndihmë dhe për të drejtuar projekte në Shqipëri.

Img 2265 600x400
Img 2265 600×400

Eksod në një shkallë biblike

Regjimi komunist i Shqipërisë ishte diktatura e fundit që u rrëzua në Europën Lindore pas rënies së Murit të Berlinit. Rrëzimi i tij u përshpejtua në 1991 nga një eksod masiv refugjatësh drejt Perëndimit, të nisur me anije të marra nëpër porte nga turma të rinjsh të dëshpëruar për t’u larguar nga një vend që ishte një rrënojë ekonomike.

Një raport i përgatitur në vitin 1992 nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës vuri në dukje se në mars 1991, dhjetëra mijëra shqiptarë hipën nëpër anije në portet e Durrësit dhe Vlorës, duke mbërritur më vonë në brigjet italiane.

Një tjetër fluks emigrantësh u regjistrua më 8 gusht 1991, kur rreth 10,000 shtetas shqiptarë nëpër disa anije mbërritën në portin e Barit në Italinë juglindore. Një mijë të tjerë mbërritën në portin e Otrantos. Dy anije të tjera që u përpoqën pa sukses të zbarkonin në Sicili u devijuan për në Maltë dhe më vonë u kthyen në Shqipëri.

Baçi, i cili atëherë punonte si shofer kamioni në Vlorë, së bashku me vëllain e tij 15-vjeçar, ishte në bordin e anijes Durrësi, e cila, së bashku me anije Lirija, u nisën në atë kohë nga Vlora drejt Maltës.

Ai kujton se kur u larguan nga porti, njerëzit në bordin e anijesh druheshin se mos i sulmonin ose detyroheshin të ktheheshin pas nga skafet e marinës shqiptare në Kanalin e Otrantos. Ata morën frymë lirshëm vetëm pasi kaluan ishullin e Sazanit.

Pas eksodit të marsit, Italia mbylli portet e saj dhe shumë druheshin se qeveria italiane do t’u refuzonte atyre hyrjen. Baçi thotë se anija kishte ushqime rezervë dhe, ndërsa shikonin televizionin italian në bord, mes emigrantëve nisën debatet mbi vendin se ku duhet të zbarkonin.

“Në ato ditë, shumë anije ndalonin në portin jugor italian të Brindisit dhe emigrantët po i riatdhesonin,” thotë Baçi. “Nga frika se mos na kthenin pas, morëm vendimin që të lundronim drejt Maltës,” shton ai.

Baçi kujton se njerëzit në anije nuk dinin shumë për botën e jashtme dhe diskutuan shumë mundësi para se të zgjidhnin Maltën, përfshirë edhe mundësinë për të lundruar drejt Anglisë apo Holandës.

“Në atë kohë, ne nuk dinim shumë për Maltën. Nuk e mbaj mend se kush e pati këtë ide, por ishte një opsion,” tha ai.

Pavarësisht vendimit për të lundruar drejt Maltës, disa emigrantë ende donin të provonin fatin e tyre në Itali. Kur anijet kaluan afër Brindisit, disa u hodhën në det dhe bënë disa milje me not drejt bregut. Baçi kujton se rryma ishte shumë e fortë, kështu që ata përdorën një dritë nga maja e një fabrike për t’u orientuar.

Pasi anijet mbërritën në Gjirin e Shën Palit në Maltë – emri i të cilit i referohet mbytjes së anijes së Shën Palit gjatë udhëtimit të tij nga Cezarea drejt Romës – ata u rrethuan nga roja bregdetare, e cila i urdhëroi ata të linin ujërat malteze.

“Për të na trembur, një snajper qëlloi dritat në direkun e anijes, por ne nuk u larguam,” kujton Baçi. “Kapiteni i anijes bisedoi me autoritetet e portit, duke thënë se ai po mbahej peng dhe se nuk kishte ndërmend të largohej,” shton ai.

Anijet hodhën spirancat para portit dhe më vonë një rimorkiaror i policisë erdhi dhe u solli atyre ujë. Të nesërmen, autoritetet malteze i lejuan shqiptarët të zbrisnin në tokë dhe i dërguan ata në një kazermë ku u vendosën nën rojën e policisë. Të nesërmen, emigrantët u njoftuan se do të riatdhesoheshin në shtëpi.

“Na dhanë secilit nga 20 dollarë dhe na dërguan në aeroport. Ishim 160 vetë në atë fluturim,” thotë Baçi. “Në Tiranë, në pistë, na priste një autobus që të na kthente në Vlorë,” përfundon ai.

Img 2266 600x400
Img 2266 600×400

Gjendja e vështirë shkaktoi një valë keqardhjeje

Edhe pse emigrantët shqiptarë që mbërritën në Maltë atë gusht u kthyen mbrapsht, gjendja e tyre e keqe shkaktoi keqardhje te maltezët të cilët nisën të mblidhnin fonde për të ndihmuar me ndihma dhe zhvillim.

“Kur mbërritën anijet në vitin 1991, unë dhe Lilian menduam se duhet të bënim diçka,” kujton Claudia Taylor East, e cila së bashku me Dame Lilian Miceli Farrugia, një ish-kryetare e Bashkëpunëtorëve të Nënë Terezës, themeluan SOS Albania.

Taylor East thekson se në atë kohë Lilian Farrugia punonte me Nënë Terezën, e cila në vitin 1991 kishte ngritur një qendër për persona me aftësi të kufizuara në qytetin industrial të Elbasanit dhe bëri një thirrje për ndihmë.

“Pra, pasi anijet mbërritën në gusht dhe pasi qeveria vendosi t’i riatdhesonte emigrantët, ne bëmë një apel për ndihmë dhe kështu lindi SOS Albania,” thotë Taylor East.

Brenda një kohe të shkurtër, bamirësia mblodhi disa kontenierë me ushqime dhe veshje, të cilat u dërguan në Shqipëri dhe iu ndanë fëmijëve të varfër.

“Në atë kohë kishte fëmijë që s’kishin këpucë dhe vraponin zbathur nëpër dëborë,” thotë Taylor East. “Nënë Tereza ishte e dobishme në thirrjet dhe apelet për ndihmë në Shqipëri dhe madje ajo erdhi dhe e vizitoi projektin tonë dhe ishte shumë e lumtur,” shton ajo.

Pasi dërgoi me dhjetëra kontejnerë me ndihma, SOS Albania vazhdoi me projekte zhvillimi. Në fillim të vitit 1992, ajo lidhi kontakte në qytetin e Korçës për të ngritur një furrë buke, fitimet e së cilës do të financonin më pas një shkollë të mesme.

Furra e bukës falimentoi pas një viti, por shkolla e mesme është ende atje. Sipas drejtorit, Carmel Camillieri, ajo është një nga më të mirat në vend. Ajo u krijua me ndihmën e Shoqatës së Doktrinës së Krishterë në 1996 dhe mori emrin e themeluesit të saj, George Preca.

Megjithatë, vetëm një vit më pas, në vitin 1997, kolegji u plaçkit gjatë një periudhe anarkie dhe paligjshmërie pas kolapsit të një sërë skemash piramidale në Shqipëri.

Mbështetësit e saj u desh t’ia nisnin nga e para. Që atëherë, 1,063 nxënës janë diplomuar dhe çdo vit ajo mirëpret deri në 75 nxënës të rinj të ndarë në tri klasa.

“Lavdi Zotit jemi ndër shkollat më të mira në vend, ndër pesë më të mirat,” thotë Camillieri, i cili thekson se gjysma e klasës së parë të të diplomuarve në vitin 1997 shkuan në universitete në Shtetet e Bashkuara.

Img 2267 600x400
Img 2267 600×400

“Ata kanë pasur shumë sukses në Shtetet e Bashkuara. Njëri është profesor në zonën e Bostonit, një tjetër është ndihmës profesor dhe një nxënësi ynë është shkencëtar dhe punon me NASA-n,” shton ai me krenari.

Si të gjithë anëtarët e Shoqatës së Doktrinës së Krishterë, Camillieri ia ka kushtuar jetën e tij shoqatës, e cila numëron shumë mësues në mesin e anëtarëve të saj. Kjo është arsyeja pse SOS Albania ofroi ndihmën e saj për shkollën.

Një tjetër projekt i rëndësishëm në rajonin e Korçës, ku është përfshirë bamirësia, është Qendra e Kujdesit Paliativ “Mary Potter”, e cila kontribuon në përmirësimin e cilësisë së kujdesit për pacientët me kancer.

Fillimisht e krijuar nga “Little Company of Mary Sisters”, qendra u shkatërrua plotësisht gjatë trazirave kaotike të vitit 1997 dhe ndihma e SOS Malta ishte tepër e rëndësishme për rindërtimin e saj.

“Në vitin 1999, kjo qendër filloi të funksiononte përsëri, duke strehuar refugjatë nga Kosova, sidomos ata që kishin nevojë për kujdes për ditët e fundit të jetës së tyre,” thotë drejtoresha ekzekutive Irena Laska.

Sipas Laskës, SOS Malta ndihmoi me mobiliet dhe solli trailerë plot me ndihma për refugjatët e Kosovës. “Me ndihmën e SOS Malta, motrat “Mary Potter” qenë në gjendje të rihapnin qendrën,” shtoi ajo.

Sot motrat janë larguar dhe qendra funksionon si një bamirësi jofitimprurëse nga mjekë dhe infermierë vendas që ofrojnë kujdes për 400 pacientë me kancer çdo vit.

“Kjo qendër nuk është thjesht speciale, por unike, si e vetmja qendër e kujdesit paliativ në Shqipëri,” thotë Laska. “Unë besoj se kemi ndërtuar një model pozitiv,” shton ajo.

Pas krizës së refugjatë nga Kosova, SOS Albania u shndërrua në SOS Malta, e cila tani është e përfshirë në shumë projekte zhvillimi jashtë vendit nga Sri Lanka në Mianmar.

Duke rikujtuar fillimet e organizatës dhe mbulimin e anijeve me emigrantë nga Caruana Galizia, Taylor East thekson se reporterja e ndjerë ishte një mbështetëse shumë e madhe e bamirësisë.

“Daphne ishte jashtëzakonisht e ndjeshme ndaj nevojave të njerëzve,” thotë ajo. “Ajo ishte shumë e dashur dhe bujare,” shprehet ajo./BIRN