Kryetari i PS-së Edi Rama, kërcënoi sot kundërshtarët e tij në PS me mbajtjen e referendumit për rikonfirmimin e mandatit të tij në krye të PS-së. Ben Blushi dhe të tjerë anëtarë të forumeve drejtuese të kësaj partie, kërkojnë që të zhvillohet garë për zgjedhjen e kryeytarit të partisë pasi Ramës i ka përfunduar mandati. Ndërsa Rama pretendon se një kryetar partie në pushtet rikonfirmohet në këtë post, pa pasur nevojë për zgjedhje. Debati ka kulmuar sot në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare ku Rama ka sfiduar Ben Blushin dhe të tjerë me mbajtjen e referendumit në elektorat me pyetjen: Të rikonfirmohet kryetari aktual apo të zhvillohen zgjedhje të reja për këtë post?.
Një situatë e ngjashme ka ndodhur në Partinë Socialiste gati 15 vite më parë, në kohën kur PS drejtohej nga Fatos Nano.

Në janar të vitit 2002, Fatos Nano kërcënoi kundërshtarët e tij në PS të drejtuar nga Ilir Meta, me kërkesën për referendum. Ishte rikthyer beteja mes grupeve ekundërshtare në PS. Lufta politike mes grupeve kundërshtare në Partinë Socialiste të drejtuar nga Fatos Nano, zgjati për tetë vitet që kjo parti ishte në pushtet.

Kryetari i kësaj partie Fatos Nano kishte fituar disa beteja me kundërshtarët e tij të drejtuar nga Ilir Meta. Në verën e vitit 2001, pasi fituan zgjedhjet parlamentare ishte një situatë paqeje mes Nanos e Metës. Ilir Meta u zgjodh kryeministër i qeverisë socialiste pas zgjedhjeve të 24 qeshorit 2001. Por debatet brenda PS-së nuk shterruan. Fatos Nano nisi akuzat ndaj qeverisë Meta në dhjetor 2001. U rikthye kështu beteja Nano –Meta. Për ti dhënë një përgjigje përfundimtare kundërshtarëve të tij në PS, të kryesuar nga Ilir Meta, Fatos Nano kërkoi referendum në bazën e partisë. Ndërkohë që Ilir Meta dhe mbështetësit e tij kërkonin kongres të jashtëzakonshëm.

Në këtë situatë politike të acaruar Nano publikoi edhe pikat e referendumit në janar të vitit 2002.

Temat e referendumit

– Zgjedhja e kryetarit nga anëtarësia dhe rikompozimi i forumeve mbi bazën e votave të dala nga votimi i referendumit.
– Papajtueshmëria e dy mandateve, kryeministër e kryetar partie…
3 – Kryetari i PS propozon kanditatët për kryeministër dhe kryetar Parlamenti…

4 – Kandidati i mazhorancës për President të zgjidhet nga anëtarësia

5- Për fraksionet në parti dhe pro alternativave të votuara integruse…

6 – Bashkëpunim me opozitën për çështje madhore dhe të integrimit të vendit në BE e NATO.

Kundërshtarët e Nanos kundërshtuan referendumin dhe pikat e tij, duke argumentuar se kjo i jep më shumë kompetenca kryetarit të partisë.

Më 15 janar u realizua takimi i “paqes së përkohshme” Nano-Meta. Ata ranë dakord për rikompozimin e plotë të qeverisë, kërkesë kjo e Nanos, dhe vazhdimin e diskutimit të hapur për të gjitha çështjet. Gjithashtu u vendos që të hetohej për akuzat e lëshuara gjatë konfliktit politik në PS midis grupeve. Paqja mes tyre vazhdoi deri në verën e vitit 2003 kur Ilir Meta dha dorëheqje nga postet që mbante në qeveri e parti dhe ktheu betejen më Fatos Nano. Beteja kulmoi në kongresin e dhjetorit 2003 ku u rizgjodh kryetar Fatos Nano dhe mbetën jashtë forumeve drejtuese Ilir Meta dhe mbështetësit e tij në PS. Lufta politike mes gupit të Fatos Nanos dhe atij të Ilir Metës përfundoi me themelimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim nga Ilir Meta dhe mbështetësit e tij në PS në vitin 2004.

(27.al/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: