TIRANË

Analisti Besnik Mustafaj ka komentuar në News24 edhe atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoj, ku mbetën të plagosur 3 persona. Ai e cilësoi një histori të shëmtuar dhe kriminale, duke analizuar disa elementë.

Mustafaj tha se kur nuk është i mbrojtur një prokuror, askush nuk është i mbrojtur.

“Kjo është një histori e shëmtuar dhe kriminale. Ka brenda elemente të rënda sepse gjendet në të njëjtën makinë me një prokuror të shtetit njerëz të inkriminuar, njerëz me të shkuar kriminale, njerëz me precedentë edhe në vazhdim. Kjo në vetvete është një gjë e rëndë, e shëmtuar dhe kriminale njëkohësisht. E dyta aty gjenden dosje të cilat deklaroheshin…pra prokurori e dinte që dosjet e vjedhura në prokurori gjendeshin në makinën e tij dhe prokurori nuk i kishte denoncuar si pjesë e vjedhjes. E treta në një kontekst të përgjithshëm, kur guxohet të goditet një makinë ku është prokurori, pavarësisht profilit që mund të ketë, por uniforma e tij, tagri i tij, mbrojtja e tij ligjore është e tillë që kur krimi godet atë do të thotë që shteti ka rënë faktikisht. Kur është i pambrojtur një prokuror, imagjinoni nuk jeni të mbrojtur as ju si gazetare, as unë si shkrimtar, askush nuk është i mbrojtur. Normalisht mandati, imuniteti, figura e prokurorit do duhej të ishte e paprekshme”, deklaroi Mustafaj.

I pyetur nëse duhet të thirret kryeministri, si një nga akuzuesit e prokurorit për të dhënë shpjegime, Mustafaj deklaroi se kryeministri është përgjegjësi për zhvillimet në Shqipëri dhe si i tillë do duhet të thirret sistematikisht në parlament për të raportuar.

“Kryeministri duhet të thirret gjithmonë. Kryeministri është de fakto numri 1 i shtetit pavarësisht nga hierarkia protokollare që është Presidenti dhe kryetari i parlamentit. Por përgjegjësi për zhvillimet në Shqipëri është kryeministri. Duke qenë republikë parlamentare kryeministri duhet të thirret sistematikisht në parlament qoftë në komisione qoftë në seancë plenare për të raportuar për shqetësime të ndryshme”, deklaroi Mustafaj.

Sa i përket çështjes së banorëve të Unazës së Re, ai tha se e vetmja mënyrë që të zgjidhjet kjo situatë që vazhdon prej një viti është vënia e drejtësisë.

“Gjërat janë në një pikë të vdekur ku kanë shkuar para shumë muajsh. Nuk ka asnjë evolucion për zgjidhjen e kësaj. pranohet se shtëpitë e tyre janë jetike. Nuk bëjnë pjesë tek pasanikët e Tiranës banorët që janë në atë zonë. Në të gjitha shtetet ku vepron ligji, shteti është përgjegjës edhe për atë që ka lejuar të ndërtojë pa leje. Unë di që projekti ka rënë për arsye të korrupsionin përveç dramës që kanë këta banorë. Besoj se zgjidhja është vetëm tek vendosja e drejtësisë”, tha Mustafaj.

Ai foli dhe për reformën zgjedhore, për të cilën tha se mungon vullneti, duke shprehur dyshimet e tij nëse do bëhet kjo reformë. Mustafaj u shpreh pro ndryshimit të sistemit, ndërsa tha se Damian Gjiknuri nuk mund të jetë njeriu i kësaj reforme.

“Mundësitë janë, vullneti nuk është. Në këtë kuptim nuk e ka fajin reforma dhe as volumi i punës që do duhej të bëhej. Reforma zgjedhore kërkohet të paktën që nga zgjedhjet e vitit 2011. Unë kam frikë se reforma nuk do të bëhet. Por zgjedhje të parakohshme pa reformën nuk ka. A do të shkojë PD në zgjedhjet e vitit 2021 pa reformën zgjedhore, ky është një vendim politik që do duhet ta marrë opozita. Nga ana tjetër de facto qeveria bën gjithçka për ta penguar, sidomos kryeministri Rama ardhjen e opozitës në këtë komision zgjedhor në mënyrë që reforma të mos bëhet sepse kërkesa kryesore e grupit të deputetëve që shkuan nga listat në parlament dhe pa votat e të cilëve nuk miratohet dot kjo reformë zgjedhore është ndryshimi i sistemit. Unë personalisht jam për ndryshimin e sistemit.

Me sa kam kuptuar nga prononcimet publike qoftë të kryeministrit, qoftë të kreut të opozitës ata nuk janë për ndryshim të sistemit.

Njeriu i reformës zgjedhore nuk mund të jetë Damian Gjiknuri. Një njeri interceptuar në përgjimet telefonike ku flet për mënyrën se si duhen manipuluar zgjedhjet. Pra në këtë rast ne kemi parë se sido që të jetë ligji, në qoftë se Maliqi që vepron në terren vendosë të manipulojë zgjedhjet nuk ka rëndësi cilësia e ligjit.

Kjo që them unë nuk është një kërkesë e opozitës. Po them mendimin tim. Ky komision duhet të ketë një imazh shumë të mirë, përveç kompetencës konkrete. Me një imazh të tillë perceptimin e ka të keq”, deklaroi Mustafaj.

Sa i përket lidhjes së deputetit të PS Rrahman Rraja me një prej të akuzuarve të atentatit ndaj prokurorit, Mustafaj theksoi se kjo gjë hedh baltë mbi imazhin e tij dhe të forcës që përfaqëson për shkak të atyre që kanë ndodhur më herët.

“Në çdo kontekst politik të një vendi demokratik, qeveria binte për më pak se kaq. Rasti i deputetit Rraja lidhur me këtë atentat është specifik për faktin se ky i akuzuar ose i dyshuar për atentatin ndaj prokurorit, në rastin kur djali i deputetit Rraja ishte i implikuar në një çështje kriminale, ky është akuzuar nga një polic për presion.  Pavarësisht nga brezat që mund ta ndajnë nga deputeti Rraja këtë djalë të ri që është arrestuar tani, ky i hedh baltën e keqe mbi deputetin Rraja për arsye të një gjesti të mëparshëm dhe kur ishte marrë në mbrojtje nga vetë kryeministri duke u akuzuar polici që bënte akuza. Detyrimisht hedh baltë mbi imazhin e Deputetit Rraja dhe deputeti Rraja natyrisht e nxin imazhin e grupit parlamentar ku bën pjesë dhe forcës politike që përfaqëson”, u shpreh ai.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb