TIRANË

Kryeministri Edi Rama ka folur sërish për përplasjet me opozitën dhe mungesën e dialogut. Ai tha se kur socialistët ishin në opozitë, ishin ata që e kërkonin dialogun, por qeveria nuk pranonte të fliste.

Rama tha se diskutimet bëhen përmes gjuhës, jo përmes krahëve, këmbëve, gjokseve dhe muskujve, duke iu referuar përplasjeve deri dhe fizike në parlament.

“Kur ne kemi qenë në opozitë, problemi ka qenë që qeveria nuk pranonte të fliste me ne. Kemi dërguar letra për të kërkuar të flasim, s’kemi marrë përgjige. Kemi kërkuar të bashkëpunojmë, s’kemi marrë përgjigje. Ndërkohë nga dita e parë deri sot, deri kur unë të jem në detyrë, asnjëherë nuk do jetë problem për t’u ulur dhe diskutuar. Diskutimet bëhen përmes gjuhës, jo përmes krahëve, këmbëve, gjokseve dhe muskujve. Kjo është e thjeshtë. Unë e vlerësoj maksimalisht raportin e progresit. Është i vetmi që lexoj nga fillimi në fund nga raportet ndërkombëtare. Është një raport i bazuar vetëm në fakte. Nuk ka opinione as perceptime, pyesim 300 veta si është Shqipëri e ndershme apo e korruptuar dhe na del Shqipëria është e korruptuar. Raporti është i bazuar vetëm në fakte”, tha Rama.

Ai deklaroi më tej se vërejtjet e raportit të KE-së merren të mirëqena dhe do të adresohen. “Ka dhe anën kritike dhe sigurisht që ne kemi nevojë dhe për anën kritike sepse nuk jemi anëtarë të BE-së. Sikur të mos kishte këto kritika do na thoshin hajdeni futuni se jeni si ne. Kështu që edhe ato që ju thatë janë ashtu siç i thatë, ka vërejtje patjetër dhe për nisma të caktuar atë qeverisë dhe ne këto vërejtje i marrim të mirëqena dhe hap pas hapi i adresojmë”, tha Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb