Izraeli po përgatitet për një tjetër sulm iranian pas një retorike kërcënuese nga udhëheqësit në Iran që paralajmëruan se vendi do të hakmerrej për një sulm me raketa izraelite muajin e kaluar.
Irani fillimisht minimizoi ndikimin e sulmeve izraelite të 26 tetorit në objektet e tij ushtarake, të cilat nga ana e tyre ishin një përgjigje ndaj një sulmi me raketa balistike iraniane ndaj Izraelit në fillim të tetorit.
Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, tha se sulmi “nuk duhet të ekzagjerohet dhe as të nënvlerësohet”, ndërsa Teherani po peshonte një përgjigje.
Të shtunën, megjithatë, Khamenei dha një kërcënim të qartë. Ai tha: “Armiqtë, qofshin regjimi sionist apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës, patjetër do të marrin një përgjigje dërrmuese”.
Mohammad Mohammadi Golpayegani, shefi i shtabit të liderit suprem, u zotua të enjten se një përgjigje iraniane ishte e sigurt dhe se ajo do të ishte “e ashpër dhe dhëmbëthyese”.
Në të njëjtën ditë, kreu i Korpusit të Gardës së Revolucionit Islamik të Iranit, gjeneralmajor Hossein Salami, tha se përgjigja iraniane “do t’i tejkalojë të gjitha pritjet”.
“Izraeli besonte se mund të ndryshonte ekuilibrin rajonal të fuqisë duke lëshuar disa raketa”, tha Salami duke shtuar se “ju keni vërtetuar edhe një herë se nuk e kuptoni popullin iranian dhe llogaritjet tuaja janë krejtësisht të gabuara”.
Wall Street Journal të dielën citoi zyrtarë iranianë dhe arabë të informuar mbi planet e Teheranit duke thënë se sulmet e ardhshme iraniane do të ishin më komplekse, duke përfshirë më shumë armë dhe koka më të fuqishme se sulmi i 1 tetorit, dhe breshëria e re do të vinte midis zgjedhjeve të së martës në SHBA dhe inaugurimi i presidentit të ardhshëm amerikan në janar.
Sipas disa raporteve, inteligjenca izraelite beson se sulmi i radhës iranian mund të nisë nga Iraku, ku Irani ka aleatë të ngushtë mes milicive shiite, të cilët janë të armatosur me raketa balistike iraniane dhe raketa lundrimi. Koha e fluturimit nga Iraku do të ishte dukshëm më e shkurtër sesa nga territori iranian, nga ku raketat u lëshuan drejt Izraelit më 1 tetor.
Sulmi i mëparshëm me raketa iraniane ishte nga ana tjetër një përgjigje ndaj sulmit ajror izraelit që vrau liderin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah, më 27 shtator, duke nisur ciklin aktual të përshkallëzimit.
Komandantët izraelitë thuhet se kanë paralajmëruar se çdo sulm i ri iranian do të përballej me një përgjigje të shpejtë dhe se Irani do të kishte pak mbrojtje, pasi shumë bateri të mbrojtjes ajrore u dëmtuan në sulmet izraelite të 26 tetorit.
SHBA është zotuar të ndihmojë në mbrojtjen e Izraelit kundër çdo sulmi iranian dhe muajin e kaluar vendosi një sistem të mbrojtjes raketore anti-balistike (THAAD) në Izrael me gati 100 trupa amerikane për ta operuar atë.
Gjashtë bombardues amerikanë B-52 mbërritën në Lindjen e Mesme gjatë fundjavës, me shumë gjasa në Katar, pas vendosjes së një skuadreje luftarakë F-16 dhe cisterna të karburantit në rajon në tetor. Lëvizjet, tha Pentagoni, ishin “në përputhje me angazhimet tona për mbrojtjen e qytetarëve dhe forcave amerikane në Lindjen e Mesme, mbrojtjen e Izraelit dhe de-përshkallëzimin përmes parandalimit dhe diplomacisë”.
Kryeministri izraelit Netanyahu e bëri të qartë se programi bërthamor iranian ishte objektivi përfundimtar i Izraelit.
“Objektivi suprem që kam vendosur për IDF-në [Forcat e Mbrojtjes së Izraelit] dhe shërbimet e sigurisë është të parandalojnë Iranin të arrijë armë bërthamore… Ne nuk i kemi hequr – dhe nuk do t’i heqim sytë nga ky objektiv. Natyrisht, unë nuk mund të detajoj planet tona për të arritur këtë qëllim suprem”, tha ai.