Një 73-vjeçar kanadez, i cili mendonte se kishte telefonuar zyrën për informimin e publikut, kishte telefonuar në fakt policinë, që zbuloi në shtëpinë e tij dhe më pas i konfiskoi 100 armë zjarri, të ruajtura jo në mënyrën e duhur.

Oficerët e Xhandarmërisë Mbretërore të Kanadasë (GRC) njoftuan sot se kishin zbuluar dy ditë më parë më shumë se 94 armë dhe gjashtë pistoleta në këtë rezidencë që ndodhet në Chebogue, në provincën e Skocisë së Re.

Pronari, 73 vjeç, i zotëronte armët në mënyrë të ligjshme, por nuk i ruante në mënyrë të rregullt, të demontuara apo të vendosura në një dollap të mbyllur me kyç.

Ato janë konfiskuar dhe 73-vjeçari është arrestuar për një kohë të shkurtër.

Policia federale ka shkuar të hënën në shtëpinë e të moshuarit për të garantuar sigurinë e tij edhe pse ai e kishte shpjeguar në telefon gabimin e tij.

”Politika e GRC është në fakt që të shkojë në vendngjarje për çdo telefonatë. Mund të reagojmë për shembull për një person të plagosur që nuk mundet të flasë apo për një person të kërcënuar dhe që nuk ka mundësi të flasë”, theksoi Jennifer Clarke, zëdhënëse e GRC-së.

“Pas mbërritjes në vend, agjentët kanë zbuluar menjëherë armët. Sapo agjentët tanë kanë hyrë në banesë i kanë zbuluar ato”, sipas Clarke.
(Atsh)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: