Nga Auron Tare
Kaloj shpesh përgjatë Vjosës. Më pëlqen ky pejsazh ndoshta unik ndër viset tona. E njoh mirë këtë zonë, njerëzit e saj dhe historinë pasi e kam shkelur për vite fshat më fshat.
Diku 6 muaj më parë vura re se ndanë Lumit ishin bërë disa shesh pushimesh me nga një kioske Alpine ne mes. Ndalova dhe i pashë. Dukshëm ishin harxhuar fonde dhe më pëlqeu që Lugina do kishte disa pika orientuese per natyrën dhe historinë.
Vjosa e meriton besoj unë, Lumi i egër në Evropë, Park, Di Caprio, shoqata që luftojnë për mbrojtje e saj. Plan Manaxhimi, plan afat gjatë, afat shkurtër, përfshirja e komuniteteve, të ndihmojmë turizmin, e duam shume Shqipërinë e plot parrulla si këto qe gumëzhijne ne rrjetet sociale.
Shesh pushimet dhe Kioskat Alpine janë bëre me merak. Fondi i Zhvillimit dhe Banka Boterore kanë vendosur logot e tyre për të na thënë neve kalimtarëve se kanë treguar seriozitet për Luginën.
Tabelat informuese janë plot me kordinata dhe përpos ndonjë informacioni historik për klasën e dytë fillore nuk shikon asgjë tjeter.
Nejse mendova se brenda në Kioskat e hekurit do kishte me shumë material për këtë luginë dëshmitare e betejave që nga antikiteti i hershëm e deri në Luftën Italo-Greke.
Në mars kur i pashë kioskat Alpine të quajtura aq këndshëm “Info Point” i imagjinova se gjatë verës do ishin plot me vizitorë të cilëve do t’ju shërbehej nga djem dhe vajza të zonës, veshur bukur të lëçitur me historinë që s’ka fund në këtë Luginë.
Ndërkohë unë vazhdoj kaloj shpesh anës Vjosës, njëhere të pi nje kafe tek Beni, një herë të qethem në Këlcyrë tek një djali i ri, i cili mezi pret të ikë nga ky vend. Një herë të pi një raki tek një barangë e vogël tek i vetmi këpucar xha Polua, që ka mbetur dhe ende bën opinga.
Një herë të blej Gin shqiptar tek vozaxhiu duarartë Hiqmet, i cili bën raki nga çdo lloj fruti, një herë të marr mjaltë tek bletët e Zybos në Kala. Një herë tek Bujtina e Mirës në Peshtan për tu krenuar me turizmin që ajo bën në këtë Luginë. Një herë në Leusë tek Gili e deri më tutje në Leskovik tek Bletët e Eleonorës që kullosin livadheve të Greqise dhe natën kthehen në Shqipëri.
E ndërkohë që unë iki lart e poshtë nëpër Luginë, Kioskat Alpine buzë Vjosës mbeten të heshtura. Të mbyllura. Të braktisura. Të vetmit vizitorë që duken, janë tufat e gomerëve të fshatrave përqark që nga vapa mundohen të struken nën çatitë Alpine të Info Pointeve të ndërtuara me paratë e Bankës Botërore.
Po sikur ato para ti jepeshin Mirës në Peshtan për Bujtinen e saj? Këpucarit Polo që të ruajë traditën? Apo vozaxhiut dhe rakibërësit Hiqmet?
Apo djemve të plakut Zybo që dikur mjaltin e tyre e çonin deri në Francë? Po sikur një pjesëzë e vogël e Fondit të kioskes ti jepej berberit të ri që të hapte një biznes dhe të mos e braktiste vendin? Apo të ndihmoheshin bletët e Eleonorës për tu bërë një mundësi e bukur për turizmin e zonës?
Po sikur lekët e kioskave të ishin përdorur për të restauruar Sarajet historike të familjes feudale të Këlcyrajve?
Fatkeqësisht për të gjithë këta njerëz të Luginës nuk mendon kush. Fondet janë veç për gomerët.