Pak orë para ngjarjes së rëndë që terrorizoi zonën e Shkëmbit të Kavajës, 40-vjeçari Aleks Marku, i cili mbajti me forcë dy fëmijët e tij të mitur në banesë dhe qëlloi me armë jashtë ballkonit, kishte bërë xhiro me ta me makinë në Durrës. Emisioni ‘Me zemër të hapur’ në News24 të modetares Evis Ahmeti, ka treguar detaje nga ajo se çfarë kishte bërë 40-vjeçari pak para se të qëllonte me armë në drejtim të RENEA-s.
Mësohet se ai kishte dalë xhiro me makinë bashkë me dy fëmijët e tij në Durrës, ndërkohë që njëri prej djemve xhironte me telefon, ndërsa videon më pas Aleksi e ka shpërndarë në rrjetet sociale. Madje ky i fundit ka postuar edhe disa mesazhe në rrjetet sociale, ku jep mesazhe për braktisje apo dhe snajpera e viktima.
“Kur unë heshti nuk don të thotë se jam i mirë. Mos harro, krejt e din se kur të qetësohet snajperi viktima veq ka rën në tok”, shkruante në rrjetet sociale. Ndërkohë, një tjetër postim ishte; “Unë nuk i harroj fytyrat e atyre që më ndihmuan në vështirësitë e jetës dhe atyre që më braktisën gjatë kësaj kohe”.
(BalkanWeb)