Agron Duka, kreu i PAA-së, në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa në News24, tha se kreu demokrat Sali Berisha duhet të deklarojë se kryeministri, nëse opozita fiton zgjedhjet, duhet të dalë nga opozita, pa specifikuar emrin e tij.
Duka tha se qoftë Berisha, ashtu edhe Ilir Meta dhe Edi Rama, kanë 30 vjet që merren me politikë dhe në këtë kuadër ai theksoi se “mjaft është mjaft”.
“Unë shisja televizorë kur këta merreshin me politikë”, tha Duka, duke theksuar se opozitës veçanërisht i duhet një ekip i ri, me fytyra të reja.
Përsa i takon zgjedhjeve, Duka tha se për shkak të Kodit Zgjedhor, çdo parti e vogël duhet të bëjë koalicion me një nga partitë e mëdha.
“Në çdo qark të Shqipërisë ne duhet të kemi nga një kandidat tonin, në mënyrë që të mbledhë votat, ndërsa në listat e sigurta duhet të kemi më shumë se një mandat”, tha Duka. Në këtë kuadër ai përmendi Qarkun e Durrësit dhe më pas tha se një tjetër kandidat duhet të jetë në një qark tjetër, ku të mendohet nga partia më e madhe opozitare.