Nga Dom Zef Simoni

Pjesa e dhjetë

Memorie.al publikon një studim të panjohur të Dom Zef Simonit, me titull “Persekutimi i Kishës Katolike në Shqipni nga 1944 në 1990-ën”, ku kleriku katolik me origjinë nga qyteti i Shkodrës që vuajti për vite me radhë në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe më 25 prill 1993 u shugurua Ipeshkv nga kreu i Selisë së Shenjtë, Papa Gjon Pali i II-të , pasi ka përshkruar një histori të shkurtër të Klerit Katolik në Shqipëri, është ndalur gjatë në persekutimin që pësoi Kisha Katolike në regjimin komunist, nga viti 1944 deri në vitin 1990. Studimi i plotë i Dom Zef Simonit, duke filluar nga tentativat e qeverisë komuniste të Tiranës menjëherë pas mbarimit të Luftës për ta shkëputur Kishën Katolike nga Vatikani, fillimisht duke i ndaluar kthimin në Shqipëri Delegatit Apostolik, Imzot Leone G.B. Nigris, pas vizitës që ai kishte bërë te Papa në Vatikan në vitin 1945 dhe më pas me presionet e kërcënimet ndaj Monsinjor Frano Gjinit, Gaspër Thaçit e Vinçens Prenushti, të cilët e kundërshtuan prerë “ofertën” e Enver Hoxhës dhe si rezultat u pushkatuan prej tij, si dhe fatin tragjik të shumë klerikëve të tjerë që arrestuan, u torturuan dhe u dënuan me burgime, si: Dom Ndoc Nikaj, Dom Mikel Koliqi, Atë Mark Harapi, Atë Agustin Ashiku, Atë Marjan Prela, Atë Rrok Gurashi, Dom Jak Zekaj, Dom Nikollë Lasku, Dom Rrok Frisku, Dom Ndue Soku, Dom Vlash Muçaj, Dom Pal Gjini, Fra Zef Pllumi, Dom Zef Shtufi, Dom Prenkë Qefalija, Dom Nikoll Shelqeti, Dom Ndré Lufi, Dom Mark Bicaj, Dom Ndoc Sahatçija, Dom Ejëll Deda, Atë Karlo Serreqi, Dom Tomë Laca, Dom Loro Nodaj, Dom Pashko Muzhani, etj.

Shkrimet e mia

Mendimet e mia e veprimet silleshin rreth Personës së Krishtit. E planifikova që jeta ime, të kishte tre synime. Së pari, të mendojsha të kem një përparim të brendshëm shpirtnuer, simbas doktrinës së Atit, shpallë nga Biri, që asht Jezus. Së dyti, i gjindeshe besimtarëve në nevojët shpirtnore, në kohë aq të vështira, tue u thanë fjalën e Zotit, në bisedat e mia me ata e, tue u dhanë sakramendet Shejte. Së treti, me u dhanë mbas shkrimeve e, kjo edhe për një kënaqësi, edhe për nevojat e shoqnisë. Oh, me u dhanë mbas shkrimeve! Për një fjalë që shkruen, ke përgjegjësi. Nxjerr mendime, ide, paraqet probleme tokësore, qiellore, histori, njerëz, lufta edhe kontradikta. Thue kështu. Jo ashtu. Shkrimet duen përmbajtje e trajtë.

Pata nisë qysh në klasat e nalta të liceut me ba hartime, që mësuesi i letërsisë, m’i quente të bukura. Edhe gjatë kohës kur isha në arsim, shkruejsha, por nuk muejsha t’ia tregojsha fort kujt, se kishin përmbajtje, që ishte si reaksion kundër kohës. Disa prej tyne, i mendojsha të bukura, por kur u mbyllen kishat, i zhduka. Kisha një mendim të ngultë, që shkrimet e mia të kishin landë religjioze dhe shoqnore njëkohsisht, me pikëpamje katolike. Jeta nuk duhet nda nga feja. Nuk ka dy jetë në këtë tokë. Në njenën anë jeta si një kategori e, në anën tjetër feja, si një kategori tjetër. Edhe po të shkruejsha një përshkrim të kaut, të gomarit, unë do ta lidhshe me atë, se këta janë gjetë një natë në një shpellë. Po të përshkruejsha diellin, do të flitsha patjetër, për “Diellin e Drejtësisë”, që asht Jezus.

Po të shkruejsha për yllin, do të përshkruejsha Yllin e tre magjive të Lindjes, që shkojnë për të adhurue Krishtin. Me folë për grunin e venën, do të flitsha për Eukaristinë. E tue qenë se besimi çmohet edhe ma fort, kur t’i vehen pengesa, kufizime, pranga, kur t’i mungojnë liria, shihet ma fort nevoja e tij. E me shkrimet e mia të kësaj natyre, mendojsha se po i bajsha një shërbim të madh Zotit, popullit, kombit e besimtarëve. Po rrijsha një ditë në dhomën e zyrës së Arqipeshkvisë. Ishte fruer. Nisi të binte borë e bukur. Qielli me shumë re. Jeta me shumë trazime. Bota jonë me shumë lufta e zemrime. Idete me shumë gabime. Dhoma me shumë zjarr. I vetëm. Më erdhi papritmas një ide e një frymzim, të shkruejsha diçka për Krishtin, si një biografi të shkurtë.

Shkrova pak faqe. Jo ma shumë se gjashtë të daktilografueme. Fillonte kështu: “Vetë Perëndia solli shelbimin. E një natë erdhi Drita. Barijtë shkuen te Bariu. Kingjat shkuen te Kingji. E tre mbretën, shkuen te foshnja. I sollën dhurata: arë, kem e mirrë. E njoftën për Mbret, për Zot, për Nieri. Ma vonë do ta njohin të gjithë”. Ia tregova disa klerikëve. E gjykuen të bukur. Padër Meshkalla e lexoi mirë e më tha, se këso shkrimesh, lypen në kohën e soçme. Francois Mauriac, asht një shkrimtar fort i madh. “Edhe ti – më tha, – paske si një stil të tij”. Unë nuk kisha lexue asgja prej Mauriac, por ma vonë, e pata fort për zemër këte shkrimtar dhe e pata si një prijës temin. Veprat m’i lexuen Mons. Ernest Çoba, Dom Kolec Toni, Patër Mark Harapi dhe mbetën të gëzuem, për këto punime.

Profesor Gaspër Ugashi, që na fëmija e thirrshim dajë, pse ishte kushrini i parë i nanës, më bani vlerësime të posaçme për: ‘Jeta e Zojës’, ‘Jeta e Shën Jozefit’, ‘Jeta e Krishtit’. Ky profesor i nderuem i qytetit të Shkodrës, do të ishte bamirës i madh, së bashku me tri të bijat e tij të martueme, gjatë dymbëdhjetë vjetëve tona të burgut, tue ndihmue me dashuni e mirësi. Zoti ia shpërbleftë këtyne dhe sa tjerëve që na kanë ndihmue, edhe në të ardhmen, gjatë vjetëve të burgut, si; Simon Moni, djali i axhës, Gjovalin Gjini, kushrini i nanës, Zef Toma, prej Jubani, doktoresha Terezina Suma, kushrina dhe Tade Shiroka. Mbas ngjarjeve që ndodhën me mbylljen e kishave, kisha një ngushëllim, kur shkruejsha. Ma tepër punime, jo të gjata.

I vumë titullin një punimit: “Një armë e pathyeshme”, ku përshkruhen 15 shejet e Rruzarës dhe copat e një libri me titull; “Stinët”. I lodhun e i dërrmuem nga sëmundja, përgatitëshe të shkojsha e vjetin e parë, në Razëma. Shkojsha shpesh te Kalaja, deri te vendi ku kishte qenë ma parë Kisha e Zojës. Tani ishte një monument me yllin e dhunës. Ndonjë herë më delshin lot. Unë kam qa fort rrallë. Por lotët më delshin nga thellësia e shpirtit. Më paraqiteshin shumë, e nxirrsha nga goja fjalët: histori e namun. Para se të arrijsha te vendi, që ishte i Shejtnores, ulesha të pushojsha mbi një shkamb, prej kah shihsha malet, alpet, një pjesë të liqenit dhe vendin ku ishte përpara kisha e vogël e Shën Mërisë, Magdalenë, një pjesë të qytetit e krejt kjo tokë, ishte e mbyllun, atdhe i mbyllun, histori e mbyllun e kështjella të heshtuna, me banorë të vuejtun pa plang e pa shtëpi.

Ishte dita e 24 qershorit, kujtimi i lindjes së Gjon Pagëzuesit. Gjoni ka lidhje me Krishtin. Janë moshatarë, me një diferencë. Gjoni, gjashtë muej ma i madh, se Jezusi. Por shtëpitë i kishin larg njeni-tjetrit. Do të takoheshin në moshën tridhjetë vjeçare, te lumi historik i Jordanit, në një ditë dëshmie, kur Jezusi do të pagëzohet prej Gjonit. Në sa po kthejsha prej vendit të Kishës së Zojës, për të shkue në shtëpi, më vjen një frymëzim për të shkrue diçka, për parardhësin e Krishtit. Rrugës përpilova disa fjali e menjëherë, porsa ktheva në shtëpi, i vuna në letër. Punoj një ditë, dy ditë, rreth këti subjekti dhe më pëlqeu punimi. “Po sikur të shkruej diçka për Krishtin”? – mendova. “Sikur të filloj jetën madhore të Tij”? E vendosa. E nuk m’u nda ky mendim nga mendja, gjatë stinës së verës, në Razëm.

Në shtator të vjetit 1970, tue pasë një përmirësim të mirë të shëndetit, ia nisa kësaj punë të madhe, për të shkrue një jetë letrare të Krishti. Kisha material. Edhe një përgatitje nga studimet e teologjisë. Kjo vepër do të kishte shumë ide, shumë ideale. Ndër kryesoret asht sakrifica. Sakrifica e Krishtit, asht vuejtje që bahet ideal e shpërblim. U donte shpërblimi, se asht fye Ati, Perëndia. Asnjë njeri nuk mund ta bante shpërblimin. As të gjithë njerëzit së bashku. Nuk mundte një i kufizuem, sikur asht njeriu, as të gjithë të kufizuemit, sikur janë njerëzit, me e shpërblye të Pambaruemin. Vetëm Biri i Atit, edhe ky Zot, që asht objekti i menduem i tij, në amshim, prej dashunie, desh të marrë natyrën njerëzore. Atëherë si njeri i bante sakrificën e të vuente, e tue qenë se në personën e vet, ka tre veti; natyrën njerëzore, si Hyjni të çonte në vend me fuqi të pambarueme, drejtësinë e fyeme.

Kështu shpërblehej Ati e, fitohej njëkohësisht e drejta e shelbimit për njerëz. Qe Krishti shpërblyes. Qe Krishti shelbues. Qe arsyet juridike të ardhjes së tij në botë. Qe se kjo personë universale me dy natyrë, i përket çdo kombi, çdo vendi, që do të sjellë ngadhënjimin përmes dashunisë ndaj Atit e, dashunisë për njerëzimin. Në çastesh të lindjes së Tij? Me siguri që po. Atëherë mjaft, o Jezus! Çka t’u desh ma tepër? Por jo, se Jezusi desh të jetë shembull për ne, prijësi ynë, tërheqësi i mendjeve dhe i zemrave. Krishti, tue vuejtë vetë, i dha vështrim edhe vuejtjeve tona. “Të mos ligështohemi, – na thotë, – kur ju shajnë. – Ashtu ma banë edhe mue të pafajin. As kur t’ju fyejnë, t’ju nëpërkambin, t’ju mundojnë, t’ju torturojnë, t’ju mbysin trupin, se të gjitha më ngjajtën mue”. Krishti vdiq në kryq e u ngjall, për të na lidhë definitivisht ne me dashuninë e shpërblimin. Jezusi mbetet për ne: “Rruga, e Vërteta dhe Jeta”.

Për t’ia hy kësaj vepre, u donte renditja e fakteve. Kisha përkthimin në gjuhën shqipe të Veberit ba nga gjermanishtja prej Atë Benedikt Demës. Lexojsha Jeta e Krishtit e Giuseppe Ricciotit. Më ranë në dorë veprat për Jetën e Krishtit të Didon e Papini. Në shtëpi ruejsha visarin e madh: Jeta e Krishtit të Francois Mauriac. I lexova të gjitha me kënaqësi. Secili kishte bukurinë e vet, stilin, artin, fuqinë. Ishin kryevepra botnore: Riccioti me një vepër historike të ekzistencës së Krishtit, Didoni me një paraqitje të ambël, Papini furioz. Më pëlqej foit Mauriac, shkrimtar me fuqi të mbrendshme, me elegancë në krejt veprën. Katër ungjilltarët ishin të pakalueshëm në thjeshtësinë e së vërtetës e të stilit. Nuk mund të shkruej kush si këta. Ia hyna punës: jetova me Jezusin.

Më dolën para Palestina, Betlehemi, Simon Plaku, Nazareti, lumi i Jordanit, Kafarnaum, Kana e Galilesë, Sinagogat, Jeruzalemi, Tempulli i Salomonit, peshkatarët me emnat e tyne, Hajati i Tregtarëve, kamxhiku i Krijuesit, malet, tetë lumnitë, Mai Tabor, ku ngjau të Shndërruemit e Krishtit, publikaj e farizej, Simoni Farize dhe mëkatnorja e pendueme. Edhe grueja e shtatë burrave, te Pusi i Jakobit, dhe ngjarja e grues kunorthyese. Jezusi, Bariu i Mirë e, parabola e djalit plangprishës. Jezusi e apostujt në barkë, kur u jep urdhën ernave të pushojnë. Fjalët: “Shih, çou e ec, të janë falë mëkatet tueja”, Lazer, “veni foras”, Talita Qumi. Shtimi i bukëve dhe i peshqve, Çenakulli, mohimi i Shën Pjetrit e, trathtia e Judës, lutja e Krishtit në Gjetseman, shtatë fjalët e Krishtit në kryq, Zoja te Kryqi e Magdalena edhe në agimin e ditës së të ngjallunit. Të hypunit e Krishtit në qiell dhe të Ardhunit e Shpirtit Shejt. Kisha e lumnueshme e Krishtit.

Unë ngjarjet do t’i shkruejsha simbas rendit kronologjik, por nganjëherë nuk do t’i punojsha simbas këti rendi. Në një moment shkruejsha lindjen e Krishtit e ditën e nesërme, të Ngjallunit e Tij. Kisha dispozicionin tim të ditës, të momentit, të frymëzimit. Këte vepër po e shkruejsha me dashuni, pastërti e sinqeritet. Unë herë isha i furishëm e, herë isha i qetë, i gëzueshëm, i pikëlluem, energjik, i shpejtë, i ngadalshëm, i zemruem kundër së keqes e dashamirës ndaj mëkatnorit dhe falës ndaj anmikut, anormal në gjendje, fort normal në doktrinë, me idetë e mësimet, që janë të mbështetuna te fjala e vepra e Jezusit, te fuqia e pagabueshme e Kishës, të dijetarët e gjenitë e të gjitha kohëve të krishtënimit, te përfundimet e sigurta të jetës së krishtenë me shejtën e monumente.

Unë nisa të shkruej këte jetë shejte e origjinale të Krishtit, në kushtet tona, se na këte Jezus e largojshim. Nuk e njihshim, nuk e dojshim, nuk lejshim t’i ndihet zani. Dominonte dhuna jo mirësia, lufta dhe jo paqja, çregullimi e jo harmonia, interesat e jo idealet, plumbat e jo Kryqi, internacionalja dhe jo Tu es Petrus, lufta e klasave dhe jo Pater Noster. Për gati katër vjet, ditën, natën, e sa herë më delte gjumi natën, për të shkrue këte vepër, u futa në të gjitha sheshet, rrugët, skutat, fjalët, tue ecë me Jezusin, me botën e re, me epokën e tij.

Në vjetin 1974, u mora me Zojën, me Nanën e Krishtit. Me një frymëzim, me një eksperiencë e me një gjendje të naltueme shpirtnore, e mbarova Jetën e Zojës, Jetën e Shën Jozefit, në tre muej, u mora me Familjen Shejte, për të cilën kishte divocion të posaçëm dhe nana ime. Këto vepra ia lexojsha edhe prindve, vëllaut Gjergj dhe motrës. Shkrimet ishin si një lutje për mue. Qenë vjetë të xanuna, shumë punë, me shpirt e gëzim mes ngjarjeve të atdheut, që ishte një tunel, një katakombë e asgja tjetër, një atdhe i rrethuem, male e tela.

Në klandestinitet

Atdheu ynë ishte kudo një lloj me fytyrën socialiste dhe e përgjithshmja e saj, përfshinte çdo të veçantë. Kudo shihsha parullat e revolucionit, atij kultural, të tërbimit të keq të luftës së klasave. Shqipnia e Shkodra, kishte sulme të mëdha. Urdhnat përherë vijshin nga Tirana e, Tirana historikisht i merrte në fillim, nga Beogradi e Moska. Tash nga Pekini. Por Shkodra kishte edhe punët e veta. Urdhna personash. Pasione personale, me format e stilit komunist e oriental, sa ma thellë turk. Kur u rrëzuene kumbonaret e minaret, duket se iu prenë kokat qytetit. Qytet pa koka. Qyteti nuk kishte ma hije, nuk kishte kënaqësinë tradicionalë, me kumbonët që kishin qenë si ura vertikale, për të kalue përmes tyne, nga toka në qiell. Qytetit e atdheut, iu këputshin relacinet që e bajnë të fuqishëm me katër forca: kambë, duer, mend e zemër.

Furia e parë e mbylljes së institucioneve fetare, me urdhna të shpejtë iku e, tash vijshin urdhna tjerë e furi të planifikueme. Gjyqe të randa kundër meshtarëve, kundër Dom Mark Hasit e Padër Meshkallës, të arrestuem para Institutit Pedagogjik, në prani të mija vetve. E mandej gjyqet në Shkodër, në Kishën e Murgeshave Stigmatine, kundër Dom Frano Ilisë, Dom Zef Bicit, Dom Mark Dushit, e Padër Gegë Lumës. Pushkatohen Dom Zef Bici e, Dom Mark Dushi. Flitet kundër Kishës, Papatit, kundër qytetnimit kristian dhe Europës. Mbledhje të vazhdueshme me zhurma. Për dy tri vjet të mira, u rrahte çdo nieri dhe mbahej pezull çdo shtëpi. Shtëpitë dukeshin si të shkuluna nga themeli dhe shumë njerëz hidheshin si çrregull dhe shumë të ramë aq poshtë, shkojshin për të puthë mure komitetesh. Qaje, Zot, të keqen në këte qahmet tokësuer.

Kisha Françeskane e Gjuhadolit, u ba sallë kinemaje. Kishin marrë këte kishë, eshtent e Dedë Gjo Lulit, të ruejtuna nga françeskanët me aq nderim e, po i tretshin së bashku me eshtent e fretënve dhe të Padër Gjergj Fishtës, poetit tonë kombëtar. Katedralja historike u shndërrue në një Pallat Sporti, ku do të kërcejshin valle edhe gjysmë balerinat dhe të krishtenë të ftohtë, do të rrahshin shuplakë për kambëhjedhësit e koshashënuesit. Ka edhe ma në këtë kishë, se diktatorët do të mbajshin fjalimet ateiste, tue dhunue të drejtat e ndiesitë fetare, të mbarë një populli. Në një kongres grueja, gratë i prijëshin udhëheqësave e, i nxitshin për të ba sa punë të zeza, me fjalët e tyne nëpërka.

Kur tundej qyteti, kriste atdheu e, në çdo shtëpi futej tmerri. Shtypi kishte arsye, kur shkruente që të mos kujtohej se kemi zhdukë fenë, pse kemi mbyllë institucionet. Feja i ka rrajët e thella. Duhet punë shumë, për të ba. Luftë e vazhdueshme. Me fjalë thohej se; populli i ka mbyllë kishat e institucionet fetare, por me vepra tregohej se kudo, kishte ceremoni fetare. Kishte pagëzime, lutje, mbajtje fuguresh e kryqash. Kremtoheshin Krishtlindjet, Pashkët, dy Bajramët. Dihet ma se popullit i kishte hy frika, por populli kishte format e veta, për të ruejtë një farë besimi.

Në vjetët që vijshin, mbas mbylljes së kishave në dyqanin e pijës, dyqan jo privat, ku shiste Pjetër Bushati, në qendër të qytetit të Shkodrës, natën e Shën Kollit, kishte radhë të gjata, në të dyja krahët e dyqanit. Shitej venë, raki. Venë e raki për Shën Kollë. Shteti nuk ishte kujtue, për këte veprim. Blehej venë e raki me shumicë, edhe dy javë para festës e, këndojshin edhe gjelat në shumë shtëpi. Ma vonë, mbas ndonjë vjeti, ndigjohej dhe kori i formuem prej gjelave, që i kishin ble për t’i pre sipas tradicionit, natën e Shën Kollit.

Në një apartament dy ditë para festës, denoncoi një gjel. Ndonëse i lidhun, u zgjidh e fluturoi si një avion anmik, në antivigjilien e festës dhe zbriti e ra prej katit të katërt, diversanti qielluer, në tokë, mes rrugës, mes ndërtesës së Kinema “Republika” dhe Shtëpisë së Oficerëve. Gaz e qahmet. “Incident fetar! Formë e aktivitetit fetar. Meriton një mbledhje. I kuj mund të jetë ky gjel? Nga cila shtëpi ka ra”? Pastaj për festën e Shën Kollit, çojshin te furrtari me pjekë laknorë e ambëlsina. Njerëzit kërkojshin me ble fiq të thatë, e arra. Krishtlindjet e Pashkët, do të ndiheshin në çdo shtëpi e, sofrat e vizitat për ditën e emnit, do të vazhdojshin tash, për mos me ra në sy, për dy-tri javë.

Dom Injac Gjoka

Qyteti, katundet e malësitë, kishin hije të randë dhe frikë. Monsinjori jetonte te lagja “Arra e Madhe”, në një shtëpi kritike, s’e s’ishte nën çilësat e Sigurimit. Shkojshin e vijshin, sidomos fshatarë, për shërbime fetare. Po ashtu edhe te një dhomë, ku banonte meshtari shejt, Dom Injac Gjoka. Dhoma e tij u ba kishë, prej orës 7ºº të mëngjesit e, deri ora 7ºº e mbramjës. Don Injaci qe thirrë disa herë në zyrat e Frontit dhe në mbledhje të gjanë, që të mos bante shërbime dhe e kishin lajmue për arrestim. Dom Injaci nuk lëvizte nga detyra. Unë po bahesha i njohtun në popull, si meshtar, përmes Monsinjorit e Dom Injacit, të cilët më lidhshin për shërbime fetare, me shumë persona. E fjala ime si meshtar, mori dhenë. Unë, në këte rast, e kisha ma të lehtë shërbimin klandestin, edhe pse kisha shumë të njohtun. I veshun shumë thjeshtë, jo si përpara, me rrobe të zeza, mund të hyjsha kudo.

Vikar i Përgjithshëm i Dioqezës, Shkodër

Tue qenë se disa anëtarë të këshillit dioqezan, kishin dekë, Monsinjor Çoba, e plotësoi e, për ma tepër, më emnoi mue si Vikar të Përgjithshëm të dioqezit, kështu që unë mund të bajsha edhe krezmime. Edhe përpara, kisha nisë të bajsha ndonjë shërbim fetar, kur ishin kishat e hapuna, sidomos në spital e në azil të pleqve. Sigurimi e kishte marrë vesh, se unë isha meshtar. E në një rast, Dega më vuni në dukje një incident, që patëm në shtëpi. Gjergji ishte takue rastësisht, me një turist anglez, Stefan Vinter, që kishte nisë rrugën e meshtarisë. Ky i kishte kërkue një ofice e, vëllau tue e mirëpritë në shtëpi, ia dhuroi.

Kryetari i Degës Feçor Shehu dhe Xheudet Miloti

Sigurimi e kishte ndjekë, deri afër shtëpisë sonë. Unë nuk isha në shtëpi, as nuk gjindeshe në Shkodër. Menjëherë Sigurimi, kishte thirrë vëllanë dhe mue, porsa erdha në Shkodër. Unë u paraqita në Degë, sikur nuk dijsha asgja. Më thirri kryetari i Degës, Feçor Shehu dhe nepunësi i tij, Xheudet Miloti. Mbasi u morën me këte ngjarje, tue pa se nuk dijsha asgja, më thanë se; ti lëvizë me shërbime fetarë në spital, shërbimet baheshin të shumta. Edhe me Dom Kolec Tonin, kishim arrijtë të organizojmë, pa e dijtë njena a tjetra familje ku, për të krye shërbimet, tue ba pagëzime, rrëfime, kungime e unë tue dhanë edhe ndonjë krezmim.

Te shtëpia nisën të vijnë ma shumë fshatarë. Ndihmë fort e madhe, më ishte familja, sidomos, vëllai Gjergji e, motra, Çilieta. Njëherë nuk kam pasë pengesë prej tyne, për ma tepër, ata kishin zell e guxim, në këte vepër misionare. Motra kishte barrë të madhe e, do t’i pritte me kënaqësi e buzëqeshje që e karakterizonte, me qinda njerëzish gjatë shërbimit e, do të kombinonte mundësitë e ardhjes së tyne, që të mos mësyejshin shumë njerëz përnjëherë, tue ndejë gati në çdo orë të ditës e, të orëve edhe të vona. Vëllau e motra, më kishin krijue mundësi fort të mira.

Kurrnjëherë nuk më thanë të ruhesha, por edhe më nxitshin, tue më thanë: “Kjo asht dita jote, për të shërbye”. Vëllau e motra gjithçka bajshin mirë e me rregull, në këte periudhë të vështirë punë kaq shejte. Kur shkojshe nëpër katunde, mbetshe fort i pikëlluem, se nuk kishte në ato anë, asnjë meshtar. E sa herë kthejsha në mbramje, prej atyne banorëvë që thojshin Rruzaren shejte, me za të ultë në shtëpitë e veta. Ndër fshate isha përcjellun nga një shoqnues, të cilit i jepshe pas rrëfimit, Eukaristinë Shejte, vojnat e, ky ecte para meje, pa u kujtue prej askuj, se ishim bashkë. Rrezik i madh ishte, kur kalojsha urat, sidomos atë të Bahçellekut, se aty ishte policia! Memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb