KURBIN

Kryeministri Edi Rama iu ka kërkuar kurbinasve të votojnë kandidaten e PS për Bashkinë, duke thënë se burrat janë për muhabet e gratë për punë.

Me këtë rast ai ka marrë si shembull ish-ministren e Arsimit Lindita Nikolla për të cilën tha se sa e ka kundërshtuar ajo, se kanë bërë 5 burra bashkë. Nuk kanë munguar apeli për ata që duan të prishin zgjedhjet.

FJALA E RAMËS
Kush të votojë për Majlindën ta bëjë, kush nuk do të votojë s’ka problem, por ama kush do guxojë që të shkojë t’i bjerë murit me kokë, kush është më i fortë muri apo koka?! Le ta themi deri në fund, këtu në këtë zonë që shyqyr që ju erdhi mundësia të votoni për një grua se keni votuar për burra 30 vjet.

Po mirë diçka kanë bërë edhe burrat por meqë është mundësia për të votuar për një grua, atëherë kujtohuni çfarë thoshte Margaret Thatcher: Në qoftë se do të bësh muhabet gjej një burrë, në qoftë se do të bësh punë, bëje me një grua. Kur i thua burrave shiko duhet bërë kjo punë, thonë ‘patjetër shef’ e kur vjen dita me të dhënë llogari thonë jo nuk e bëra se unë mendoj…mbaroi puna.
Kurse kur i thua një grua që duhet bërë kjo punë, nëse nuk është dakord të kundërshton aty. Sa më ka kundërshtuar mua Lindita Nikolla nuk më kanë kundërshtuar 5 burra të marrë së bashku. Por ama kundërshtohet në fillim, pastaj kur vendoset për t’u bërë puna, bëhet puna.

Më vjen mirë që shoh në një takim kaq gra e vajza, efekti i parë pozitiv i kandidaturës. Burrave si burrë ju them, burrin e fortë ne shqiptarët e bëjmë gjithmonë kur dalim nga shtëpia por ju e dini shumë mirë se kush është kryeministri kur shkoni në shtëpi. Ju e dini shumë mirë se kush është kryetari i bashkisë kur shkoni në shtëpi. E dini sh mirë se kush është ministri i Brendshëm dhe i ministri i Financave kur shkoni në shtëpi. Apo jo?!

Edhe diçka tjetër kam, këto zgjedhje kanë, përveç dimensionit politik, kanë edhe një dimension realisht patriotik sepse asnjë vend në Europë, nuk e ka parë këtë që po shohin shqiptarët sot, me ata që siç lanë vendin rrugëve, kanë dalë rrugëve vetë. Në asnjë vend nuk ka ndodhur që një opozitë të kërcënojë popullin e vet se nuk do e lejojnë të zgjedhë. Ka pasur dhe në rajon opozita që kanë bojkotuar zgjedhjet por nuk ka pasur kurrë një opozitë që kërcënon popullin e vet që mos guxo të shkosh në votim se do të nxjerë para ata me kapuça të zinj e shkopa hekuri, si ata dje. Ata nuk duan t’ia dinë fare. Ka kaq kohë që e bënë Shqipërinë blozë nëpër botë. Ka kaq ditë që çojnë e-maile, mesazhe në çdo zyrë në Europë ku ka persona që merren me Shqipërinë.

Ka kaq kohë që s’guxojnë të shohin një gazetar të huaj se nuk lënë llaf pa i thënë për Shqipërinë. Por imagjinoni sikur të ndodhë diçka e ngjashme me atë që ata kanë në kokë dhe shqiptarët përfundimisht të hyjnë në historinë e botës fiks siç kanë shkruar armiqtë më të mëdhenj të këtij populli, që nga profesorët serbë dhe të tjerë që kanë thënë se shqiptarët janë me bisht. Këtë Shqipërisë nuk kanë për t’ia bërë dot.

Mendoni si shqiptar, mendoni demokrat në zemër e mendje e mos mendoni si huliganë dhe mos shkoni pas atyre që ju kërkojnë huliganizma sepse këtë njollë historike Shqipëria nuk mund ta marrë kurrë nga bijtë e vet, pavarësisht bindjeve politike. Pa diskutim që ata nuk kanë për t’ia dalë. Ata mund të marrin më qafë disa njerëz e t’i çojnë pas hekurave si disa dhjetëra që tani nuk janë nëpër shtëpia sepse i vërsulën këta për të sulmuar institucionet.

Mos kini merak për demokracinë, demokracia nuk shkatërrohet pse disa parti të falimentuara nuk marrin pjesë në zgjedhjet vendore. Ky do jetë momenti i një ndarje të qartë. Do bëjmë shtet, dhe aty ku ka shtet nuk ka vend për karagjozllëqe.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: