TIRANE- Pas bërjes publike të blerjes së aksioneve të një banke me vlerë 1 milionë dollarë nga bashkëshortja e deputetit socialist Alfred Peza, kanë nisur edhe hetimet nga ILDKPKI. Vetë deputeti reagoi lidhur me lajmin duke sqaruar se këto aksione ishin blerë në sajë të kursimeve të familjes. Por menjëherë pas kësaj ILDKPKI ka nisur kontrollin e plotë dhe hetimin administrativ për deklaratat e interesave private të deputetit të PS-së.


Sipas këtij institucioni, objekt i këtij kontrolli nuk do të jenë vetëm pasuritë e Alfred Pezës, burimet e krijimit dhe ligjshmëria e tyre, por gjithashtu edhe gjendja e konfliktit të interesit.


Mbledhja e të dhënave dhe informacioneve, kryerja e veprimeve verifikuese dhe hetimit administrativ do të shtrihet edhe për familjarët, bashkëshorten e tij, fëmijët, si dhe personat e lidhur me deputetin socialist.


“Nisur nga njoftimet e mediave në lidhje me blerjen e aksioneve në një bankë nga bashkëshortja e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Z. Alfred Peza, me vlerë rreth 1,13 miliardë lekë, Inspektori i Përgjithshëm bazuar në ligjin nr. 9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar dhe ligjin nr. 9367, datë 7.4.2005, “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar, ka urdhëruar fillimin e procedurave të kontrollit të plotë dhe hetimit administrativ për të gjitha deklaratat e interesave private që prej vitit 2003, të subjektit Alfred Peza.

Objekt i këtij kontrolli nuk do të jenë vetëm pasuritë e subjektit në fjalë, burimet e krijimit dhe ligjshmëria e tyre, por gjithashtu edhe gjendja e konfliktit të interesit. Mbledhja e të dhënave dhe informacioneve, kryerja e veprimeve verifikuese dhe hetimit administrativ do të shtrihet edhe për familjarët, bashkëshorten e tij, fëmijët, si dhe personat e lidhur.

Inspektori i Përgjithshëm ka kërkuar kryerjen e një hetimi tërësor brenda një kohe sa më të shpejtë të mundshme.

Inspektorati i Lartë gjithashtu falenderon median për bashkëpunimin e deritanishëm me ILDKPKI, dhe i fton ato si dhe çdo person tjetër që zotëron informacione për pasuri të fshehura, të padeklaruara dhe të vëna në kundërshtim me ligjin për subjektin e mësipërm, t’i depozitojnë pranë Inspektoratit të Lartë, duke ju garatuar konfidencialitetin si një prej parimeve më të rëndësishme të punës së ILDKPKI-së”, thuhet në njoftimin e ILDKPKI.

(BalkanWeb)