PRISHTINE– Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, bashkë me deputetin Salih Salihu, ka folur sot për situatën politike edhe para qytetarëve të Vitisë.

“Koalicioni LAN është prishur për çështje postesh. Ujdia me Thaçin është ndrequr për çështje dosjesh”, janë vetëm disa prej shpjegimeve që kryetari i VV-së qytetarëve të Vitisë.

Shpjegimin për prishjen e LAN-it, Kurti e ka mbështetur në atë, se si PDK nuk ka mundur të blej 63 deputetët e LAN-it, për pesë muaj, por bleu Isa Mustafën.

Kurti, citohet të ketë thënë se Mustafa u shit te Hashim Thaçi, dhe se vetëm Mustafa, njeri i talentuar për dobësi mund të shënoj autogol nga penaltia.

“Mustafa bëri ujdi e jo marrëveshje sepse ai nuk bëri negociata para marrëveshjes, por qeveria u nda përgjysmë si plaçkë pas nënshtrimit ndaj Thaçit. Kjo shpejtësi e ujdisë vjen nga ato 70 lëndë në prokurori të krimit ekonomik e urbanistik të komunës së Prishtinës kur atje ishte kryetar Isa Mustafa e të cilat ambasadorja amerikane Jacobson ia futi në frigorifer për ngrirje të cekët. Dy ditë pasi që Ambasadorja amerikane iu tha krerëve të LAN-it që edhe ju jeni të korruptuar andaj s’keni pse të distancoheni nga Thaçi, ajo shkoi te u.d. i kryeprokurorit të Kosovës, Sylë Hoxha, i cili është po ashtu i kapur: në njërën anë e mbajnë peng në pozitën e ushtruesit të detyrës e, në anën tjetër, vëllai i tij, Elez Hoxha, është në burg për korrupsion i dënuar me katër vjet pasi që si gjykatës ka marrë ryshfet!, vazhdoi Kurti. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës na kanë ndihmuar shumë në kohë lufte për çlirim por tash Ambasada Amerikane nuk po e ndihmon Kosovën në kohë paqe për zhvillim dhe demokratizim. Përkundrazi”, citohet të ketë thënë Kurti.

Sipas Kurtit, megjithëse janë bërë më shumë se dy javë që ish-koalicioni LAN ka hequr dorë nga posti i kryeparlamentarit ende nuk kemi konstituim të institucioneve sepse nuk u ngutej nëse ka krizë në institucione, por u ngutej pse nuk kishte krizë në LAN.

“PDK-ja nuk e pranoi ofrimin e Ramush Haradinajt dhe të AAK-së në fillim të kësaj jave dhe kësisoj e refuzoi për së dyti atë duke e pasur për qëllim jo vetëm përdorimin e Haradinajt për shkatërrimin e LAN-it por edhe poshtërimin e Haradinajt e të AAK-së. Gjatë takimeve të krerëve të LAN-it, Fatmir Limajn na pati treguar se Thaçi është njeri sadist, pra ai kënaqet duke i parë të tjerët teksa vuajnë”, citohet të ketë thënë Kurti gjatë këtij tubimi, duke shtuar në anën tjetër se përderisa Thaçi qenka sadist, i bjen që Isa Mustafa me gatishmërinë për nënshtrim është mazohist”.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb