Në përvjetorin e 26-të të rënies heroike të Dalip Behrës dhe Bekim Gashit, Kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti bëri homazhe në Krushë të Madhe, duke nderuar jetën dhe sakrificën e tyre për lirinë e Kosovës.

Ai tha se jemi mbledhur për të kujtuar rënien e tyre si një akt sublim që e ndriçon të ardhmen e shtetit dhe shoqërisë sonë. Kurti theksoi se idealet që udhëhoqën dëshmorët duhet të jenë udhërrëfyes për të gjithë, pa dallim pozite apo rrethanash.

“Gjatë luftës, kënga e lirisë nuk u ndal. Dhe nuk do të ndalet as në paqe,” tha ai. Kjo, sipas Kurtit, është dëshmi e krenarisë që ndjejmë për ata që dhanë jetën për Kosovën, dhe njëkohësisht një kujtesë për përgjegjësinë që kemi për të vazhduar rrugën e tyre.

Kurti përmendi edhe ndikimin që figura si Ukshin Hoti dhe Ismet Gashi kanë pasur në formimin dhe qëndresën e këtyre dëshmorëve, duke theksuar se lidhja e brezave është ajo që ndërton historinë dhe udhëzon të ardhmen.

Kurti2
Kurti2

Ai nënvizoi se luftëtarët e UÇK-së kishin një mision të dyfishtë: të luftonin armikun dhe të mbronin popullsinë. Këtë mision e përmbushën edhe Dalip Behra e Bekim Gashi, që pas masakrës në Krushë, vazhduan betejën deri në rënien e tyre heroike.

Në fund, Kurti tha se historia e Kosovës nuk është vetëm në libra, por e gjallë në çdo qytetar, dhe se afërsia në kohë e këtyre ngjarjeve e bën edhe më të madhe përgjegjësinë për të ruajtur sigurinë, për të forcuar institucionet e mbrojtjes dhe për të mbrojtur çdo cep të vendit tonë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: