Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shprehur kritika të ashpra ndaj qasjes së BE-së karshi Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë rilançimit të Programit “Willy Brandt” për zgjerimin e Bashkimit Evropian, organizuar nga Socialistët dhe Demokratët, Kurti ka theksuar se politikat e Kosovës janë vlerësuar vetëm në fjalë, ndërkohë që Serbia ka përfituar mbështetje edhe pse, sipas tij, është strehë për terroristët e sulmit në Banjskë.

“Përpjekjet tona për ta avancuar demokracinë, sundimin e ligjit dhe vlerat themelore  të BE-së pranoheshin me fjalë.

Por shumë rrallë mbështeteshin në aksione. Në fjalë të tjera, politikat tona më shumë janë pëlqyer se mbështetur.

E politikat e fqinjit tanë janë pëlqyer më pak, por janë përkrahur më shumë. Fqinji jonë verior që është agresor dhe që provokon tensione e synon destabilizim sot strehon e mbron terroristët, por është Kosova që mbetet nën masat restriktive të Bashkimit Evropian”, ka thënë Kurti.

Ai ka shtuar se loja e Serbisë në mes të Moskës dhe Brukselit nuk duhet të tolerohet, ndërsa ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj rrugës evropiane dhe është e gatshme t’i bashkohet BE-së.

Në hapje të programit të rilansuar, zyrtarët evropianë kanë nënvizuar synimin për bashkëpunim më të ngushtë me shtetet që synojnë integrimin evropian.

“Misioni jonë është i qartë: Ta bëjmë Evropën të plotë dhe të kompletuar”, thuhet në nisje të këtij programi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb