KOSOVE

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti me anë të një statusi në “Facebook” shkruan se sot në Maqedoninë Veriore është ndaluar Tomor Morina, me urdhër -arrest të Serbisë dhe se për të nuk ka reagim shtetëror.

Kurti shprehet se rasti i Morinës tregon qartazi se shteti i Kosovës i diferencon luftëtarët e UÇK-së, ku disa i kujton dhe lavdëron, ndërsa të tjerë as që i përmend.

Postimi i Albiin Kurtit:

Këto ditë, gjatë një udhëtimi pune jashtë vendit, mora vesh nga mediet se është ndaluar në Maqedoni të Veriut ish-luftëtari i UÇK-së, Tomorr Morina. Ndalimi i tij ka ardhur si pasojë e fletarrestit të lëshuar nga Serbia, kundër luftëtarëve tanë çlirimtarë.

Tomorri është ndër të shumtë ushtarë të UÇK-së të cilët janë arrestuar dhe disa edhe kanë mbajtur vite burg me fletarreste nga Serbia, e për shumë prej të cilëve qytetarët tanë kanë dëgjuar vetëm kur janë liruar nga burgu, ama pushtetarët ndërkohë kanë negociuar me Serbinë, pa e ngritur kurrë si kusht këtë çështje.

Karshi fletarresteve sistematike të Serbisë kemi pasur gjithnjë reagime të improvizuara të shtetit të Kosovës. Teksa Serbia i kërkon të gjithë, si pjesëtarë të UÇK-së, institucionet tona reagojnë varësisht nga pozicioni i ushtarit. Për dikë bëhet zhurmë e madhe pse intervistohet diku, a për Tomorr Morinën ende s’ka reagim shtetëror, edhe pse ai është në paraprocedurë për ekstradim. Me trajtimin e diferencuar të ushtarëve, vetë Kosova e pasluftës nuk po e mbron UÇK-në.

Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të ushtarit të UÇK-së dhe qytetarit të Republikës së Kosovës, Tomorr Morina. I bëjmë thirrje institucioneve tona diplomatike e qeveritare të ndjekin urgjentisht të gjitha procedurat në mënyrë që Tomorri sa më shpejt të lirohet.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb