Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar Serbinë për ngecjet në dialogun për normalizim raportesh, teksa ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç e ka strehuar udhëheqësin e grupit terrorist të Banjskës, Milan Radoiçiç. Ai ka fajësuar edhe ndërmjetësit për mosushtrim të rolit të tyre.

Në një intervistë për “politico.eu”, Kurti ka thënë se “qasja e Serbisë nuk është për normalizim raportesh me Kosovën”. Siç shkruan ky portal, deklarata është dhënë një ditë pasi Kurti mori pjesë në drekën e organizuar në Bruksel nga Komisioni Evropian me liderët e Ballkanit Perëndimor. “Si është e mundur t’i thonë po Marrëveshjes së Ohrit, por refuzojnë ta nënshkruajnë?” ka shtuar Kurti.

Kryeministri ka dhënë detaje edhe nga takimet në dialog me Vuçiqin. Edhe pse ishin në të njëjtin takim javën e shkuar, dy liderët s’kanë biseduar direkt, ka shkruar “politico.eu”. “Kur ai flet, unë s’ndërhyj. Kurdo që flas unë, ai ankohet”, ka thënë Kurti për Vuçiçin.

Kurti ka akuzuar Qeverinë e Serbisë se e shkel në vazhdimësi marrëveshjen dhe se po e strehon kryeterroristin Milan Radoiçiq, që ka marrë përgjegjësinë për sulmin e vitit të shkuar. “Radoiçiqi është i lirë dhe i mbrojtur në Serbi dhe i financuar nga Serbia”, ka thënë ai.

Në një moment Kurti ka fajësuar edhe diplomatët e Bashkimit Evropian, përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme, Josep Borrell, dhe emisarin për dialog, Miroslav Lajçak. “Problemi është se zotërinjtë Borrell dhe Lajçak nuk i bien bilbilit kur ka shkelje. Paramendojeni një gjyqtar që sillet në fushën e futbollit pa bilbil”, ka thënë Kurti.

I pyetur nga “Playbook” i “politico.eu” për të komentuar, ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, ka dërguar dokument tetëfaqësh duke akuzuar Kosovën për moskrijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe./Koha.net/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb