Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, tha të mërkurën se prokuroria e Posaçme e Kosovës i ka dërguar një thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për t’u paraqitur me 16 dhjetor, por pa dhënë ndonjë hollësi rreth thirrjes.
Në një postim në rrjetin Facebook, zëdhënësi Përparim Kryeziu shkroi se “Teksa kryeministri Kurti ndodhet në mbledhje të Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje për të përmbyllur listën e kandidatëve për deputetë nga koalicioni LVV, Guxo dhe Alternativa në zgjedhjet e vitit 2025, nga kryeministria më njoftuan se ka ardhur një ftesë për të nga Prokuroria Speciale”.
Në thirrjen që ai e shpërndau në Facebook thuhet se kryeministri është thirrur të dëshmojë në një rast që lidhet me veprën penale të paraparë me nenin 414 të Kodit Penal të Kosovës. Me këtë nen sanksionohen veprat që kanë të bëjnë me “keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Zëdhënësi Kryeziu nuk dha ndonjë hollësi, por kritikoi sistemin e drejtësisë për ndërhyrje në procesin zgjedhor.
“Në zgjedhjet e kaluara kishte një vendim gjyqësor, i cili ia kishte pamundësuar (zotit Kurti) kandidimin në garën zgjedhore të 14 shkurtit, 2021, kurse tash, përmes kësaj ftese, po tentohet ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2025”, shkroi ai . Në letrën e thirrjes thuhet se bëhet fjalë për rastin me numër PPSnr. 62/2023. Njohës të sistemit të drejtësisë i thanë Zërit të Amerikës se kjo lëndë ka të bëjë më një proces rreth “rezervave shtetërore”, rreth të cilit në gusht të vitit 2023 qenë arrestuar tre persona, dy nga të cilët punonjës të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Mielli, ilaçet, vaji, sheqeri, prodhimet higjienike, nafta etj. janë pjesë e rezervave shtetërore që mund të përdoren në rast të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme si pasojë e fatkeqësive natyrore, luftërave apo dhe në rast kizash kur këta artikuj mungojnë në treg.
Kryeministri Kurti, mohoi në atë kohë dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore ndërsa akuzoi siç tha, “elitën e vjetër dhe të korruptuar politike, gjykatësit e prokurorët e saj dhe mediat e keqpërdoruara për mbështetje të krimit”, për përpjekje për ta kthyer “ish sistemin e kalbur e të korruptuar”./Voa