Kryeministri Albin Kurti gjatë qëndrimit në Gjermani ka vizituar edhe objektin e Konsullatës së Kosovës në Hamburg.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se objekti gjendet në njërën prej lagjeve më të bukura të qytetit.
“Gjatë qëndrimit në Hamburg vizitova objektin e ri të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës, e cila gjendet në Rotherbaum në një nga lagjet më të bukura të qytetit, fiks përballë stacionit të metros Hallerstrasse U1 në adresën Rothenbaumchaussee 133 (20149 Hamburg)”, ka shkruar Kurti.
Sipas kryeministrit ndërrimi i objektit të konsullatës është një dëshmi se qeveria dëshiron të mbrojë imazhin e Republikës kudo në botë.
“Ndërrimi i objektit të konsullatës është një dëshmi e qartë e angazhimit të Qeverisë së Kosovës për të mbrojtur imazhin e Republikës së Kosovës kudo në botë dhe për të ofruar shërbime sa më të mira konsullore për qytetarët tanë”.
Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Hamburg, së bashku me pesë misionet tjera konsullore në Gjermani, përbën misionin më të madh diplomatik dhe konsullor të Republikës së Kosovës në botë.