Armand Kullau, emisioni investigativ Vetting në News24
Por a është kompania turke KURUM në qendër të këtij skandali ndërkombëtar? Shqipëria është anëtare e konventës ndërkombëtare të Baselit për mjedisin, ku nën rregullat e rrepta të sigurisë specifikohet mënyra se vendi ynë mund të eksportojë mbetjet toksike.
Për të transportuar këto mbetje drejt vendeve të tjera, Shqipëria duhet të ketë një leje paraprake nga vendi destinacion si Tajlanda, por edhe nga vendet tranzit ku do të kalojë produkti.
Në leje specifikohen informacionet mbi llojin dhe sasinë e mbetjeve, si dhe destinacioni dhe mënyra e përpunimit ose asgjësimit të tyre.
Një pjesë e mirë e këtyre mbetjeve prodhohen nga konglomerati turk “KURUM INTERNATIONAL”, i cili sipas dosjes nga Prokuroria e Durrësit është burimi i mbetjeve të rrezikshme që dyshohet se ka eksportuar “SOKOLAJ” sh.p.k nga Porti i Durrësit. Këto mbetje që shënohen me kodin “10 02 07*”, janë mbetje të ngurta nga trajtimet e gazeve, që përmbajnë substanca të rrezikshme.
Skandali me eksportin e mbetjeve nuk ka nxjerrë në skenë jo vetëm kompaninë turke, por ka ngritur një problem serioz se ku shkojnë këto mbetje toksike.
Eksperti i mjedisit Ahmet Mehmeti shprehet se: “Toka sot në Elbasan është e ndotur me këto dhe është një gjendje alarmante, që duhet të shqetësojnë qeverinë, Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Mjedisit, që të gjejnë mënyrën ti ç’helmitizojnë këto…Nuk e kanë vënë ujin në zjarr fare dhe kjo është për të ardhur keq”.
Sipas tij, mungon monitorimi për këto kompani, që operojnë në qytetin e Elbasanit nga strukturat shtetërore, duke favorizuar subjektet që prodhojnë mbetje toksike.
“Agjencia Rajonale rri në Berat, e hoqën nga Elbasani. Pse e hoqën? Kjo vjen erë korrupsioni i gjallë, ajo duhet të rrijë këtu, ajo duhet të dijë çfarë prodhon Kurumi edhe gjithë të tjerët, sepse informacioni që ne e kemi miratuar konventën e Aarhusit, nuk është i privuar nga dituria, duhet të dijë se cfarë prodhon KURUMI, të mirë edhe të keqe dhe gjithë këta të tjerët…Duhet ta dijë shteti se çfarë prodhon ai, të mirën edhe të keqen dhe duhet të dijë shteti ku i çon ato…”
Prej gati 15 vitesh, KURUM ka vendosur një sistem filtrash për të mbledhur mbetjet e hirit nga trajtimi i gazeve të oxhakut te uzina e Ish-Kombinatit Metalurgjik.
Të dhënat e siguruara nga “Vetting” për periudhën 2020-2023 evidentojnë se janë prodhuar 11 391 ton mbetje të rrezikshme nga oxhaku i uzinave, ku për vitin 2020 dhe 2022 nuk janë prodhuar këto mbetje.
Nga dokumentet e siguruara nga burime konfidenciale, një pjesë të mbetjeve nga filtrat e oxhaqeve “KURUM” ia shet kompanisë “ALLIANCE RESOURCE”, e cila është në pronësi të Mbarime Koçit dhe shtetasit kinez nga Guangxi e Kinës, Wen Ming.
Për “Vetting”, punonjësi i “ALLIANCE RESOURCE”, Erdest Nushi deklaroi se për vitin 2024, kanë marrë 2500 ton mbetje të rrezikshme për t’i përpunuar.
Nushi deklaroi se kanë marrë të njëjtin produkt edhe në vitin 2021 në të njëjtën sasi.
Të paktën për 5 vitet e fundit është e paqartë se nga kanë shkuar këto mbetje të rrezikshme, kur kompania e vetme që mund t’i përpunojë në Shqipëri ka kapacitete që nuk mbulojnë dot produktet e KURUM INTERNATIONAL.
Në nëntor të vitit të kaluar, pika e skrapit të fabrikës “Kurum” në Elbasan u pushtua nga zjarri, për të cilin u deshën tre ditë që të shuhej. Sipas burimeve pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, mbetjet e skrapit nuk ishin ndarë sipas rregullave nga mbetjet e tjera.
Sipas ekpertit mjedisit Ahmet Mehmeti “ne s’po u bëjmë hall këtyre që kemi dhe s’dimë ku t’i çojmë, ne kemi këtu në Elbasan, vendgrumbullim të këtyre lëndeve, të rrezikshme dhe nuk i kemi çuar në vende të tjera.
Para ca kohësh çuam ca mbetje në vend në Gjermani… se ata e bëjnë mbeturinën zero kurse këtu në Shqipëri, nuk ka shans të vijnë ato lëndet e rrezikshme t’i përpunojmë ne. Ne, sot, nuk përpunojmë dot këto që marrim nga filtrat tanë dhe po ndotim botën, si të thuash, i prishim imazhin Shqipërisë”.
“Vetting” kontaktoi përfaqësuesen e “KURUM-it”, Ada Kallçaku, për faktin se ku shkojnë këto mbetje të rrezikshme dhe lidhjet me kompaninë “SOKOLAJ”, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kemi patur asnjë reagim nga zyrtarët e KURUM-it.
Disa ditë pas hetimeve nga Prokuroria e Durrësit për mbetjet e rrezikshme, gjigandi turk njoftoi se për shkak të situatës së keqe ekonomike kishte mbyllur prodhimin që prej datës 1 gusht në dy fabrikat në Elbasan.
Por bilancet e kompanisë vërtetojnë të kundërtën pasi vetëm vitin e kaluar kompania në pronësi të Hatice Melek Kurum ka deklaruar 52 milionë euro fitim dhe totalin prej 180 milionë eurosh në 3 vitet e fundit, duke u rimëkëmbur nga kriza ekonomike e viteve të mëparshme.
(BalkanWeb)