Nga Armand Kullau, emisioni investigativ Vetting

Kush janë kompanitë që dyshohen se janë të përfshira në trafikimin e mbetjeve të rrezikshme? Mbas publikimit të lajmit në media, Prokuroria e Durrësit filloi hetimin për çështjen e trafikut të paligjshëm të mbetjeve toksike, ku dyshohet se kompania “SOKOLAJ” në pronësi të Gjovana Sokolaj ka eksportuar mbetje të rrezikshme me destinacion Tajlandën.

Sipas “BIRN”, e cila i referohej dosjes së prokurorisë Durrës, kompania “Sokolaj” është eksportuese e kontenierëve dhe kompania turke “Kurum International” rezulton burimi i produkteve që dyshohen si të rrezikshme.

Më 21 gusht 2024, KURUM bëri një deklaratë publike për mediat, duke mohuar  lidhjet me eksportin e mbetjeve të rrezikshme.

“Kurum International asnjëherë nuk ka eksportuar mbetje të rrezikshme ndaj edhe në këtë rast, kjo ngarkesë për të cilën bëhet fjalë nuk është eksportuar nga Kurum International,” deklaroi kompania turke.

Reagimi i KURUM-it erdhi pas lajmit se e vetmja kompani që mund të prodhonte këtë kategori mbetjesh në sasi të mëdhaja ishte firma turke.

Dyshimet për përfshirjen e kësaj të fundit u përforcuan me deklaratën e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, e cila në mënyrë indirekte implikoi kompaninë me qendër në Elbasan.

Sipas deklaratës së Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, “vëllimet e mallrave të cilat dyshohen se përmbajnë mbetje të dala nga procesi teknologjik i realizuar nga kompani ndërkombëtare që operojnë pranë kompleksit metalurgjik në Elbasan, janë ngarkuar në njësi kontejnerike pranë Terminalit të Mallrave Rifuxhio në Durrës, i cili operohet nga kompania koncesionare gjermane EMS”.

“SOKOLAJ” sh.p.k është themeluar në vitin 2006 nga Gjovana Sokolaj së bashku me bashkëshortin e saj, Doni Sokolaj dhe ka si objekt veprimtarie import/eksportin e mineraleve, si dhe transportin e mbetjeve të rrezikshme.

69539c85 6c92 46e7 9a05 De7fc753c881
69539c85 6c92 46e7 9a05 De7fc753c881

Gjatë këtyre viteve kompania ka patur si aksioner edhe turkun “Serdar Can Hakliol”, i cili rezulton njëkohësisht ortak me Gjovana Sokolaj te kompania “Florester Metalik”.

Nga të dhënat e siguruara nga “VETTING” rezulton se kompania “SOKOLAJ” shpk ka interesa financiare në Turqi, ku ka lidhur një kontratë me kompaninë turke “Hakliol Madencilik”. Nga viti 2014 deri në vitin 2023, SOKOLAJ ka transferuar drejt kompanisë turke shuma me vlerë totale 319 milionë lekë ose 3.2 milionë euro.

Img 3858
Img 3858

Në vitin 2022, “SOKOLAJ” sh.p.k është pajisur me licencë për transportin dhe grumbullimin e mbetjeve të rrezikshme nga Ministrja Mirela Kumbaro. Megjithatë një detaj i rëndësishëm ka kaluar pa rënë në sy. Nga dokumentet e siguruara nga “Vetting”, një vit më pas leja e kompanisë do të pësonte ndryshime, të cilat do të rrisnin kapacitetet për përpunimin e mbetjeve toksike.

Konkretisht është shtuar kodi 12 01 17 për mbetjet e materialeve shpërthyese, të tjera nga ato që përmenden te kodi 12 06 01. Pyetja që ngrihet është: Për çfarë mbetjesh materialesh shpërthyese po flasim, që përdoren nga kompanitë private apo ushtria, të cilat i përpunon kompania “SOKOLAJ” shpk?

Hetimet e prokurorisë kanë vendosur në lëvizje administratorët e kompanisë, ku e afërmja e Gjovana Sokolaj, Olizana Pemati, ka kryer veprime të tjera me kompanitë. Menjëherë pas publikimit të lajmit në media për eksportin e mbetjeve të dyshuara të rrezikshme, në 13 gusht në Qendrën Kombëtare të Biznesit është ngarkuar vendimi, ku Olizana Pemati është shkarkuar nga aksionerët e kompanisë më herët në 27 qershor.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb